Idrizi pritet të rikthehet te Besa

Futboll

Idrizi pritet të rikthehet te Besa

Më: 23 dhjetor 2021 Në ora: 16:41
Idrizi pritet të rikthehet te Besa

Memet Idrizi e përfundoi huazimin te Bratstvo 07 nga Zhitosha (Prilep), anëtare e Ligës së dytë-grupi i Lindjes. Futbollisti nga fshati Nigishtan i Shkupit në gjysmësezonin vjeshtor ishte huazuar te Bratstvo nga Besa e Dobërdollit. Sulmuesi 20-vjeçar tregoi një nivel të mirë me Bratstvon, duke qenë ndër lojtarët më të dalluar, shkruan gazetari Reshat Ibraimi.

Këmbëshpejti Idrizi ishte përshtatur në sulmin e Bratstvos, duke treguar paraqitje fantastike, sidomos në disa ndeshje të rëndësishme si kundër Bellasicës, Osogovës, Llokomotivës dhe Kit Go.

Talenti shqiptar shënoi gol të bukur kundër Osogovës, duke mposhtur me mjeshtëri portierin kundërshtar. Gjithashtu mbetën të paharruara dy shtyllat dhe dy asistimet në fitoren e thellë 4-1 ndaj Llokomotivës. Madje, në atë ndeshje nuk u akorduan dy penallti ndaj tij.

Edhe në takimin ndaj Kit Go, Idrizi dëshmoi potencialin e tij të madh prej një futbollisti me të ardhme të mirë.

Ndërsa, tani me përfundimin e sezonit vjeshtor futbollistik, edhe Idrizit i ka përfunduar huazimi te Bratstvo dhe ai pritet të kthehet të Besa e Dobërdollit, pasi është lojtar i tyre.

Edhe pse për shërbimet e tij kanë shprehur interesime skuadra të njohura të Ligave të dyta, dëshira e Memet Idrizit është që të kthehet te Besa, pasi e dashuron këtë klub.

Në ditët në vijim kryesia e Besës dhe djaloshi ambicioz pritet të ulen dhe të arrijnë një marrëveshje që do të ishte në interes të të dyja palëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat