Dinamo dhe Egnatia larg pritshmërive

Futboll

Dinamo dhe Egnatia larg pritshmërive

Më: 29 dhjetor 2021 Në ora: 12:28
Dinamo dhe Egnatia larg pritshmërive

Hyrjet e reja në këtë edicion të “Abissnet Superiore”, Dinamo dhe Egnatia, që u rikthyen pas shumë vitesh në elitën e futbollit shqiptar, kanë ndjerë shumë vështirësi në 15 javët e para. Ish kampionët e Shqipërisë, Dinamo, një prej skuadrave më të titulluara në vend, pavarësisht ndryshimeve dhe merkatos të bollshme në verë, përsëri nuk kanë arritur të marrin frytet e duhura në këtë fazë të kampionatit.

Dinamo është një prej skuadrave që numëron shumë barazime, plot 6, dhe gjithashtu një prej skuadrave që numëron shumë humbje, 6 të tilla, ndërsa deri tani krenohet me 3 fitore. Mbyllja e vitit 2021 nuk ishte aspak premtuese me 5 ndeshje pa fitore, 3 humbje dhe dy barazime radhazi, ndërsa Dinamo në klasifikim ka mbrojtjen e dytë më të dobët.

Një situatë e cila ka trazuar ujërat në kampin e kryeqytetasve, të cilët e nisin me pretendime edicionin, por tani, objektivi kryesor është kthyer mbijetesa dhe largimi nga zona e ftohtë e klasifikimit. Shumë vështirësi ka ndjerë edhe skuadra tjetër e cila në këtë sezon u promovua në elitë, Egnatia.

Ndryshe nga Dinamo, skuadër e cila u ndërtua nga Bledi Shkëmbi, që tani po provon të ndryshojë kurs, Egnatia në këtë sezon, ka ndryshuar tre trajnerë, duke mbyllur bashkëpunimin me Gugash Maganin, më pas Përparim Daiu dhe tani Zekerija Ramadani. Pas 15 javësh rrogozhinasit numërojnë 14 pikë, një më pak se blutë e kryeqytetit.

Egnatia u rikthye te fitorja pas 5 humbjesh radhazi në kampionat, pasi ia doli të merrte pikët maksimale ndaj Teutës, por tani mbetet për tu parë me rifillimin e kampionatit, nëse suksesi ndaj kampionëve të Shqipërisë ishte një sinjal kthese apo vetëm një rastësi. E përbashkët për të dyja skuadrat është ecuria shumë pozitive në Kupë, pasi si Dinamo edhe Egnatia kanë avancuar deri në çerekfinale.

Kryeqytetasit do të luajnë përballë Partizanit, ndërsa Egnatia ka “peshkuar” Laçin. Natyrisht që tani shkalla e vështirësisë është rritur, por Europa është në horizont dhe rruga më e shkurtër është Kupa, një synim real për Dinamon, ndërsa Egnatia do të kërkojë të jetë përsëri surpriza e bukur, pasi eleminoi Kukësin një raund më parë.

Abissnet Superiore do të rikthehet më 15 janar, me të dyja skuadrat që nisin vitin 2022 në malore, me Dinamon që vendoset përballë Kukësit në transfertë, ndërsa Egnatia pret në shtëpi Partizanin në javën e 16-të. Një vit që nis me të dyja skuadrat me misionin e përbashkët, mbijetesën dhe për të evituar rikthimin e shpejtë në Kategorinë e Parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat