Simeone reagon pas kritikave të Sacchit

Futboll

Simeone reagon pas kritikave të Sacchit

Më: 8 prill 2022 Në ora: 20:47
Simeone reagon pas kritikave të Sacchit

Atletico Madrid është një nga skuadrat më të vështira për t’u munduar. Askush nuk i do përballë kampionët në fuqi të Spanjës, kjo për stilin e futbollit që praktikojnë.

Fare pak spektakël, mbrojtje e fortë, cinizëm ekstrem dhe dyluftime të ashpra në çdo cep të fushës. “Colchoneros” humbën 1-0 çerekfinalen e parë të Champions League kundër Manchester City.

Goli i De Bruyne i dhuroi fitoren skuadrës së Pep Guardiolës, por asgjë nuk është vulosur, pasi djemtë e Diego Simeones do të japin gjithçka për t’u kualifikuar në “Wanda Metropolitana”.

Kritika pafund ka pësuar trajneri argjentinas për futbollin që praktikon prej vitesh, sidomos nga Arrigo Sacchi. “Simeone ka arritur shumë rezultate vitet e fundit. Nuk ka dyshime se përvoja e tij si lojtar në Itali ka ndikuar tek ai si trajner.

Rëndësi ka të mos pësosh gol, pastaj të shohim çfarë do të ndodhë, duke u bazuar te talenti i lojtarëve të veçantë. Sigurisht që Atletico ka elementë cilësorë, por në vend që të blejë lojtarë dhe të shpenzojë shumë para, duhet të kishte ‘blerë’ lojën.

Megjithatë, duhet të jemi të sinqertë: sfida mes Atleticos dhe City-t është ende e hapur. Në kthim, gjithçka mund të ndodhë”, deklaroi ish-tekniku i famshëm i Milanit dhe kombëtares italiane.

Simeone është mësuar me fjalë të tilla, të cilat nuk i bëjnë përshtypje. Atletico do të sfidojë Mallorcan e Vedat Muriqit të shtunën (Supersport 6, 16:15), teksa tha këto fjalë përpara transfertës ishullore:

“Nuk flas për mendimet e të tjerëve. Të gjithë mendojnë si të duan dhe të gjithë duhet të respektohen për mendimet e tyre. Me përulësi do të vazhdojmë të punojmë duke u përpjekur të bëjmë më të mirën për Atletico Madrid.

Unë e kuptoj që mediet përpiqen të gjejnë ngjashmëri në lidhje me lojën tonë ndaj Manchester Cityt, por kampionati ndryshon nga Championsi. Jam i fokusuar plotësisht te Mallorca”, deklaroi trajneri argjentinas.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat