Barcelona luan për shumën e majme katër ndeshjet e fundit

Futboll

Barcelona luan për shumën e majme katër ndeshjet e fundit

Më: 3 maj 2022 Në ora: 11:08
Barcelona luan për shumën e majme katër ndeshjet e fundit

Barcelona nuk do të fitojë asnjë trofe këtë sezon. Tani objektivi i katalanasve do të jetë renditja sa më lart që të jetë e mundur në klasifikim.

Por përveç prestigjit, skuadra e Ksavit luan edhe për miliona që vijnë me kualifikimin në Ligën e Kampioneve dhe Superkupën e Spanjës.

Në ndeshjet e mbetura të Barçës luhen të paktën 50 milionë euro në të dyja kompeticionet, shifra të rëndësishme duke parë edhe situatën ekonomike në të cilën ndodhen.

Objektivi numër 1 është kualifikimi në Champions që do të sillte në arka shifrën e 42 milionë eurove, që është afërsisht edhe sasia e parave që arkëton një ekip i cili kualifikohet në çerekfinale.

Skuadra që do të kualifikohet në fazën e grupeve të Champions-it sezonin e ardhshëm, merr automatikisht 15.6 milionë euro, plus 2.8 milionë për çdo fitore që do të arrijë në këtë fazë dhe 900 mijë euro për çdo barazim.

Për t’u kualifikuar në 1/8-at çdo klub përfiton 9.6 milionë euro dhe 10.6 milionë për çerekfinalet. Ndërsa për triumfin në finale klubi do të përfitonte 32.5 milionë euro të tjera.

Shanset e katalanasve për të shkuar në Champions janë të mëdha pas fitores ndaj Majorkës në La Liga të dielën.

Dhe rivalja më e madhe për momentin për të kërcënuar katërshen e parë është Betisi, skuadra me të cilën Barcelona do të përballet të shtunën.

Objektivi tjetër i Barcelonës do të jetë kualifikimi në Superkupën e Spanjës. Për këtë, ata duhet të renditen në vend të dytë në klasifikim.

Edhe pse për momentin ata janë në këtë pozicion, këtu kompeticioni është më i fortë me Seviljen dhe Atletikon e Madridit në garë.

Duke u kualifikuar në këtë turne, shtohen shanset për të fituar një trofe sezonin e ardhshëm dhe rrjedhimisht edhe me shumë të ardhura për klubin.

Ata mund të arkëtojnë deri në 8 milionë euro, 6 shifra fikse dhe të tjerat janë bonuset në bazë të paraqitjeve që variojnë nga 800 mijë euro deri në 2 milionë.

Prandaj Barcelona luan ende për shumë këtë sezon.

Nga 50 milionë eurot fillestare në më shumë se 80 milionë në rast se skuadra do të arrinte të fitonte titullin, të cilavedo t’u shtoheshin edhe të ardhurat e së drejtës televizive duke e çuar pranë shifrës 100 milionë.

Duke parë se sa të rëndësishme do të jenë këto para për merkaton e verës, ata nuk mund ta heqin këmbën nga gazi deri në ndeshjen e fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat