Prishtina largon trajnerin boshnjak

Futboll

Prishtina largon trajnerin boshnjak

Më: 14 maj 2022 Në ora: 22:57
Prishtina largon trajnerin boshnjak

FC Prishtina dhe trajneri nga Bosnje e Hercegovina, Abdullah Ibrakoviq e kanë ndërprerë bashkëpunimin.

Klubi nga kryeqyteti dhe "timonieri" Ibrakoviq janë ndarë me marrëveshje të dyanshme.

Prishtina e falënderon Ibrakovicin për kontributin e dhënë në ekip që nga 17 nëntori i vitit të kaluar.

Abdullah Ibrakoviq që e udhëhoqi Prishtinën nga xhiroja e 14-të në Superligë, u largua nga klubi kryeqytetas pas ndeshjes me Ulpianën.

51-vjeçari ishte në krye të skuadrës në 26 ndeshje zyrtare në BKT Superligë dhe në kuadër të Kupës së Kosovës. Në Superligë ka arritur nëntë fitore, katër barazime dhe tetë humbje.

Sa i përket ndeshjeve për Kupën e Kosovës në rrethin e parë e ka mposhtur Besën kurse në rrethin e dytë Drenicën. Në çerekfinale e eleminoi Ballkanin dhe në gjysmëfinale u përball me Llapin, të cilin e mposhti në ndeshjen e parë, kurse në atë kthyese humbi dhe nuk arriti në finale.

Prishtinën në dy ndeshjet e radhës, ndaj Dritës dhe Llapit do ta drejtojë Debatik Curri, i cili deri më tash e ka ushtruar rolin e ndihmës-trajnerit.

Prishtina ndodhet e pesta në tabelë me 48 pikë të grumbulluara, njofton FC Prishtina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat