Ceferini: Superliga ka vdekur

Futboll

Ceferini: Superliga ka vdekur

Më: 25 qershor 2022 Në ora: 15:34
Aleksander Ceferin

Aleksander Ceferin, presidenti i UEFA-s, është rikthyer në media pak ditë përpara se Gjykata e Luksemburgut të marrë vendim për çështjen e Superligës. Ai e bëri këtë në një intervistë të dhënë për “Gazzetta dello Sport”. Në të mbrojti pozicionin e tij kundër garës së re të drejtuar nga Florentino Pérez dhe që ka mbështetjen e Andrea Agnelli, presidentit të Juventusit, dhe Joan Laporta, presidentit të Barcelonës.

Ceferin filloi duke folur se si do të përballet me daljen e tij para gjykatës: “Çfarë do t’i them Gjykatës së Bashkimit Evropian? Se UEFA nuk është monopol. Njeriu është i lirë të jetë në të apo jo. Ju mund të merrni pjesë në garat tona ose të organizoni tuajat.

Por pastaj, është logjike që ai të mos luajë më në garat tona apo jo? Pavarësisht vendimit të gjykatës, asgjë nuk ndryshon. Superliga ka vdekur sepse askush nuk dëshiron të marrë pjesë. Thjesht shoh tre njerëz të çmendur (zemëruar) që luftojnë me të gjithë, duke i çuar të gjithë në gjykatë.

Vendimi që do të merret do të jetë shumë i rëndësishëm në nivel simbolik. Por Bashkimi Evropian mbron modelin evropian, që është arsyeja e suksesit të futbollit. Ne kemi mbështetjen e 20 vendeve. Disiplina e pavarur e UEFA-s do të vlerësojë gjithçka”.

Në një moment të intervistës, shefi ekzekutiv i UEFA-s foli për marrëdhënien e tij me presidentët e dy prej klubeve që promovojnë Superligën, Agnelli dhe Florentino Perez: “Nuk kam asnjë marrëdhënie me Agnellin. Unë kam qenë me Florentino Perez dhe kam respektuar protokollin, UEFA nuk është prona ime. Në finalen e Parisit ishim krah më krah. Ne e urojmë njëri-tjetrin, por kjo është e gjitha”.

Përveç kësaj, ai u pyet për marrëdhëniet e mira me Al-Khelaïfi, presidentin e Paris Saint-Germain: “Marrëdhëniet e mia të mira nuk janë me PSG-në, por me presidentin e ECA-s. Ai është një nga ata që e kuptoi dhe mbrojti modelin europian, ndryshe nga presidentët e tjerë europianë”.

Më në fund, Ceferin doli në mbrojtje të formatit të ri të Champions League. Kritikët, veçanërisht janë ankuar për ngjeshjen e ndeshjeve. Guardiola tha më 2018 se “kështu po i vrisnin futbollistët”; Klopp luajti një ndeshje të “FA Cup” më 2020 me një kastë lojtarësh vendas.

Slloveni dha këtë mesazh për t’i heshtur kritikat e trajnerëve të Manchester City dhe Liverpool-it: “Të gjithë duan më shumë ndeshje, askush nuk heq dorë nga asgjë. Klubet kërkuan dhjetë ndeshje në Champions League, do të jenë tetë, numri i saktë. Ligat kombëtare me 18 ekipe do të ishin më të dobishme, por presidentët nuk janë dakord.

Ata duhet të kuptojnë se dy kupat vendase (në Angli, “FA Cup” dhe Kupa e Ligës) janë shumë. Është e lehtë të sulmosh gjithmonë UEFA-n dhe FIFA-n, por fjalimi është i thjeshtë: nëse luan më pak, paguhesh më pak. Ata që duhet të ankohen janë punëtorët e fabrikës që fitojnë një mijë euro në muaj”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat