Viti i rastit të madh për Asllanin

Futboll

Viti i rastit të madh për Asllanin

Më: 4 gusht 2022 Në ora: 17:21
Asllani

2022-shi është një vit i veçantë, pasi zhvendosja e Botërorit nga vera në dimër ka bërë që të ndryshojë kalendarin e kampionateve vendase, duke ndikuar edhe në kontingjentin e lojtarëve.

Dhe kjo merr më tepër vlerë sidomos për klube që do të kenë lojtarë në Botëror dhe ku tendosja fizike të arrijnë skajet. Për këtë arsye, blerja e Kristjan Asllanit po rezulton shumë e vyer për trajnerin e Interit, Simone Inzagin, në pritje të një sezoni që paralajmërohet tepër i lodhshëm duke parë edhe ngjeshjen e kalendarit, si rrjedhojë e Botërorit të Katarit mes muajve nëntor-dhjetor.

Fakti që mesfushori shqiptar, i cili edhe pse zbarkoi pa shumë zhurmë, menjëherë ka treguar se di që të përballojë peshën e rolit të titullarit, diçka e tillë i jep shumë zgjedhje dhe zgjidhje zikaltërve.

Madje është prestigjiozja sportive italiane, “Gazzetta dello Sport”, e cila nuk harron të nënvizojë sesi Marselo Brozoviç ishte në sezonin e kaluar një ndër më të shtrydhurit nga Simone Inzagi, aftësitë e shkëlqyera të Asllanit i lejojnë kreut të stolit që të nisë të planifikojë një “kalendar special” për të ndarë ndeshjet mes dy organizatorëve përpara mbrojtjes, në mënyrë që sidomos lideri i mesfushës së Interit, Brozoviç, të ketë bateritë e karikuara në momentet vendimtare të sezonit.

Madje, duke parë edhe këtë fazë përgatitore, thekson e përditshmja sportive italiane në fjalë, Asllani mund të bëjë që jo vetëm Brozoviç të mund të rikuperojë forcat qetësisht në momentet e nevojës dhe me ritmin dhe cilësinë e lojës që të mos ulet asnjëherë, por ndoshta talenti i ri shqiptar, më shumë sesa kroati garanton më shumë teknikë, mbështetje në fazën ofensive dhe pse jo më tepër goditje drejt portës rivale, me një shënjestër për t’u pasur zili.

Ideja e Simone Inzagit është ajo që të shpërndajë rolin e titullarit mes Brozoviçit dhe Asllanit në raportin 70 % me 30 % për qind të ndeshjeve sezonale, ndonëse kjo kuotë nuk është e prerë me thikë dhe pse jo, të dy ballkanasit do të kenë ndeshje kur do ta nisin që të dy nga minuta e parë, në varësi të kundërshtarit që do të kenë përballë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat