Prishtina me drejtor të ri

Futboll

Prishtina me drejtor të ri

Më: 12 gusht 2022 Në ora: 00:33
Driton Krasniqi

FC Prishtina ka nisur që të marrë pamje të re në javët e fundit.

Pas emërimit të presidentit të ri të klubit, Hakif Gashi, klubi “bardhekaltër” së fundmi e ka emëruar edhe drejtorin e ri sportiv.

Kjo pozitë i është besuar ish-futbollistit të mirënjohur të ekipit tonë, Driton Krasniqi.

Ish-mesfushori vjen nga qyteti i Prishtinës dhe si futbollist ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ekip duke i fituar të gjithë titujt e mundshëm në futbollin e Kosovës me Prishtinën.

“Driti” ka bërë karrierë në Kosovë edhe të KEK-u, kurse në Shqipëri te Besa e Kavajës, Tomori i Beratit dhe Shkumbini i Peqinit me ç'rast me Besën është paraqitur në më shumë se 20 ndeshje në garat evropiane.

37-vjeçari është prezantuar si drejtor i ri i Prishtinës nga presidenti Hakif Gashi ndërkohë që për faqen zyrtare të klubit, FC Prishtina e ka dhënë një intervistë ku i ka shpalosur synimet që i ka me ekipin e tij të zemrës.

"Të jem i sinqertë, nuk e kam menduar fare që në këto momente të rikthehem në klub, por pasi që është emëruar president Hakif Gashi dhe me propozimin e aksionarit Rrahman Haradini, i'u bashkova projektit të ri të klubit. Dua që me këtë rast t'i falënderoj për besimin që e kanë shfaqur ndaj meje dhe do të mundohem maksimalisht që të punojë në arritjen e synimeve që i kemi si klub.

Janë bërë gjashtë vite që jam larguar nga klubi fizikisht, mirëpo me mendje dhe me zemër kam qenë gjithmonë këtu. Pozita e drejtorit sportiv është shumë e rëndësishme dhe do ta jap kontributin tim që të kemi sa më shumë suksese së bashku", tha Krasniqi.

Synimet me Prishtinën? "Do të punojmë shumë në vazhdimësi jo vetëm në këtë edicion, mirëpo edhe në të ardhmen që ta formojmë një Prishtinë shumë të fortë jo vetëm për Kosovë, por edhe për Evropë. Objektivat e klubit sa i përket Kosovës dihen dhe nuk kanë nevojë që të përmenden.

Së pari dua që ta falënderoj ish-presidentin Remzi Ejupi, i cili për shumë dekada e vite ka dhënë gjithçka për klubin tonë e shpresoj se të njëjtën gjë do ta bëjë edhe nga pozita e aksionarit.

Dua që me këtë rast ta falënderoj edhe presidentin e ri Hakif Gashi, të cilit i dëshiroj suksese dhe kam besim të fuqishëm në projektin e tij dhe punën e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme.

Aksionari tjetër Rrahmah Haradini ka qenë njëri ndër të palodhshmit e klubit dhe në çdo moment i është gjendur afër Prishtinës edhe në ditët më të vështira dhe në këto momente po jap gjithçka së bashku me presidentin e ri, tashmë në një rrugëtimin e përbashkët. Qëllimi është që të gjithë së bashku me vetëm një qëllim, ta bëjmë një Prishtinë të madhe ashtu siç i ka hije e ëndërrojnë qytetarët e kryeqytetit dhe jo vetëm", tha Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat