Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, të premten, ka vizituar për herë të parë Kosovën. I pari i futbollit botëror erdhi në vendin tonë me ftesë të presidentit Agim Ademi. Ai ateroi në tokën dardane në orët e paradites, ku në aeroportin “Adem Jashari” u prit nga presidenti Ademi dhe Komiteti Ekzekutiv i FFK-së.
Së bashku me Infantinon zbarkuan edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, presidenti i FFM-së, Muamet Sejdini, si dhe delegacioni i FIFA-s në përbërje Mattias Grafstrom, zv/sekretar i përgjithshëm, Alasdair Bell, zv.sekretari i përgjithshëm i administratës, Youri Djorkaeff, këshilltar i lartë i futbollit dhe Federico Raviglione, menaxher i zyrës së presidentit. Kreu i FFK-së e falënderoi presidentin Infantino për mbështetjen e madhe që i ka dhënë Kosovës që nga Kongresi i majit të vitit 2016 e deri më sot, teksa i pari i FIFA-s u shpreh i lumtur për hapat e mëdhenj përpara të futbollit tonë pas anëtarësimit në UEFA e FIFA.
Vizitën në Kosovë presidenti Infantino e filloi me vendosjen e luleve tek shtatorja e Legjendës, Fadil Vokrri, teksa në stadium u mirëprit me duartrokitje frenetike nga futbollistët e gjeneratës së rezistencës.

Më pas presidenti Infantino i shoqëruar nga presidenti Ademi dhe pjesa tjetër e delegacionit shkuan për takime me krerët e institucioneve shtetërore.
Në takim me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, kjo e fundit e ka falënderuar presidentin Infantino, ngase që në Kongresin e parë të kësaj organizate, prej kur ai mori drejtimin e FIFA-s, e vendosi në agjendë pranimin e Kosovës në shtëpinë e madhe të futbollit. Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka nevojë për ndihmë në aspektin infrastrukturor sportiv.

Ndërkaq, në takim me kryeministrin Kurti në qendër të takimit ishin angazhimet e përbashkta për zhvillimin e futbollit, si dhe gatishmëria për bashkëpunim në përmirësimin e infrastrukturës. Kryeministri Kurti tha se Qeveria e Republikës së Kosovës është e hapur për bashkëpunim me të gjitha strukturat sportive ndërkombëtare dhe vendore për të siguruar zhvillimin e futbollit në përputhje me zhvillimet më të reja të sportit global.

E në takim me ministrin e Sportit, Hajrulla Çeku u diskutua për infrastrukturën e futbollit dhe përfshirjen e këtij sporti në sistemin arsimor të Kosovës, konkretisht hapat e bashkëpunimit në integrimin dhe adaptimin e modelit të programit të FIFA-së “Futbolli në Shkolla”.
Po ashtu, takim me presidentin Infantino ka pasur edhe kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, i cili ia ka dorëzuar
“Çelësin e Kryeqytetit”. Në këtë takim presidenti i FIFA-s, ka thënë se është nder për kryqytetin dhe shtetin e Kosovës në përgjithësi që ta ketë një stadium modern nacional, teksa shprehu gatishmërinë e institucionit që drejton për të dhënë ndihmën financiare në këtë drejtim nëpërmjet FFK-së.
Pas takimeve me krerët e institucioneve, presidenti Infantino ka qenë në drekë të përbashkët me komunitetin e futbollit, ku pjesëmarrës ishin drejtues klubesh dhe njerëz të çmuar të cilët ndër vite dhanë kontributin e tyre për futbollin e Kosovës. Edhe aty i pari i FIFA-s shprehu mirënjohjen e tij për kreun e FFK-së dhe për punën e shkëlqyeshme pas anëtarësimit në UEFA e FIFA.
Në fund, presidenti Infantino vizitoi edhe selinë e FFK-së, ku u mirëprit nga administrata e shtëpisë së futbollit kosovar, si dhe u bë një prezantim i projekteve të realizuara në bashkëpunim me FIFA-n.