Van Gaal: Kemi një llogari të hapur

Futboll

Van Gaal: Kemi një llogari të hapur

Më: 9 dhjetor 2022 Në ora: 13:26
Van Gaal

“Më vjen keq për Valentajn, por ti je vetëm një gazetar, nuk e shikon futbollin njëlloj si unë”, iu drejtua Luis van Val një vit më parë gazetarit të “Telegraaf”, i cili i kritikonte taktikën mbrojtëse me Holandën. “Me 5-3-2 mund të sulmosh shumë mirë. Duhet të lexosh librin tim”.

Dhe gazetari që këmbëngulte se teoritë e tij një herë e një kohë ishin shumë të ndryshme, Van Gal iu përgjigj: “Ke dëgjuar ndonjëherë për evolucionin?”. Sepse pyetja nëse kjo është Holanda më mbrojtëse e të gjitha kohërave nuk lindi në Katar.

Të mësuar me një futboll sulmues, tifozët dhe kritikët e kanë të vështirë të shohin “Tulipanët” e tyre që mbrohen me tre qendërmbrojtës dhe dy mesfushorë e që ndonjëherë lëshojnë zotërimin e topit për të goditur kirurgjikisht në kundërsulm.

Gjithsesi, Holanda është në çerekfinale dhe luan sot përballë Argjentinës në ciklin e tretë të Van Galit në stol, cikël ku 71-vjeçari nuk ka humbur ende. Van Gal refuzon rolin e tradhtarit të futbollit total.

“Shumë thonë që Brazili është favorit, sepse luan një futboll spektakolar, por kundër Koresë luan vetëm në kundërsulm. Po luan ekzaktësisht si ne”, tha pas kualifikimit të “Seleçaos” në çerekfinale.

Zhoze Murinjo, nxënës i tij te Barcelona, ka pranuar: “E kam mësuar prej Van Galit fazën mbrojtëse”.

Edhe Ajaksi i tij i viteve 1990 priste pas për të goditur. Por luante 30 metra më i avancuar sepse kishte emra si Overmars, Finidi, Litmanen dhe Van Gal duhej të përshtatej.

FERNANDA DHE TRUS – E gjithë jeta e tij ishte një përshtatje. Nën maskën e një njeriu të ashpër dhe një dialektike që nuk pranon replika është historia e një njeriu me edukim rigoroz fetar.

Ishte shumë i ri kur humbi babanë e tij, humbje të cilën e vuajti shumë.

Dhe më pas u përball me injorancën mizore të tifozëve kundërshtarë, të cilët i uronin vdekjen e gruas së sëmurë me kancer. Fernanda nuk e fitoi dot betejën dhe ai tha: “U ndala së besuari në Zot”.

E rigjeti buzëqeshjen vite më vonë me gruan e dytë, Trus, e cila e shoqëron në Doha dhe gjatë një vizite në stërvitje, Luis bëri një shaka pa kripë: “Do të shkojmë lart në hotel e bëjmë një të shpejtë”.

Kjo është Holanda e tij e tretë. E para nuk u kualifikua në Botërorin e 2002-shit. E dyta mbërriti e treta në “Brazil 2014” dhe pa humbur asnjë ndeshje, u eliminua me penallti nga Argjentina: “Kemi një llogari të hapur”. E treta është ende në garë: “Jemi gati për të fituar Botërorin”.

Sot Van Gal është 71 vjeç dhe prej prillit të këtij viti kurohet për një kancer në prostatë që e detyron të bëjë kimioterapi edhe gjatë grumbullimeve.

Por ai mendon vetëm për Argjentinën: “Mesi është më i rrezikshmi, ai që krijon më shumë raste dhe e bën i vetëm. Por luan pak kur nuk zotëron topin. Atje fshihen shanset tona”.

Kjo është qasja e tij pragmatike që zbuloi në këtë Botëror: sulmuese dhe mbrojtëse. Është Luis van Gal!.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat