Lukaku para provës vendimtare

Futboll

Lukaku para provës vendimtare

Më: 27 janar 2023 Në ora: 11:22
Lukaku

Pas fitores në Superkupën në derbin me Milanin, Interi besoi se kishte lënë pas ulje-ngritjet e këtij sezoni.

Mirëpo humbja e papritur ndaj Empolit i la milanezët 13 pikë pas kryesuesve dhe rihapi debatet për skuadrën për të ardhmen e disa emrave të rëndësishëm.

Gjashtë humbje në 19 ndeshjet e para janë shumë për zikaltrit.

Përveç Skriniarit,menaxheri i të cilit ka shprehur synimin për t’u larguar si lojtar i lirë në qershor, janë edhe tetë lojtarë të tjerë që u skadon kontrata dhe vetëm katër prej tyre do të rinovojnë.

Gagliardini dhe D’Ambrosio, për shembull, me siguri do të largohen dhe transferimet e Romelu Lukakut dhe Francesco Acerbit mund ta rrisin shifrën e lojtarëve me valixhet gati në 11.

Nëse mbrojtësi ka shanse shumë të mira për të qëndruar, sulmuesi belg, siç nënvizon sot “La Gazzetta dello Sport”, është në dyshim për të ardhmen e tij. Për momentin, përvoja e tij e dytë interist ka rezultuar zhgënjim.

Interi ende nuk e ka përjashtuar mundësinë e qëndrimit të përhershëm të tij, por gjithçka do të varet nga performanca në muajt në vijim: nëse belgu do të rikthehet i dikurshmi, “nuk do të kishte dyshime për vazhdimësinë e tij”.

Chelsea është i gatshëm të negociojë për ta kthyer huazimin në transferim, por milanezët, nëse Lukaku nuk është sërish në formë dhe vendimtar, do ta kthejnë në Londër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat