Feronikeli ’74 eliminon Trepçën ’89

Futboll

Feronikeli ’74 eliminon Trepçën ’89

Më: 4 shkurt 2023 Në ora: 17:01
Llapi

Me katër ndeshjet e sotme të 1/8 së finales së Kupës së Kosovës ka filluar pjesa e dytë e edicionit të garave në futbollin e Kosovës.

Tashmë janë mësuar katër skuadrat e para çerekfinaliste në garat e kupës.

Fituesi i edicionit të kaluar, Llapi ka kaluar në mesin e tetë skuadrave më të mira, ngase të shtunën në stadiumin “Përparim Thaçi” e ka mundur Lirinë, me rezultat 3:2.

Të parët në epërsi kaluan prizrenasit në minutën e 18-të, kur Liridon Fetahaj u tregua i saktë nga penalltia.

Mirëpo, llapjanët reaguan shpejt dhe arritën të përmbysin rezultatin me golat e Kushtrim Shabanit (21’) dhe Francisco Riveras (41’).

Llapi e nisi rrufeshëm pjesën e dytë dhe çoi shifrat 3:1 vetëm pas 40 sekondash, kur Drilon Fazliu shënoi nga afërsia pas asistimit të Gerhard Prognit. Liria deri në fund nuk arriti ta ndryshojë epilogun e ndeshjes, përveçse ta ngushtojë disavantazhin me golin e Ermir Abazit në minutat shtesë.

Tutje në çerekfinale ka kaluar edhe kampioni në fuqi, Ballkani, që e ka mposhtur skuadrën e Ligës së Parë, A&N, me rezultat 2:0.

Megjithatë, portokallezinjtë kanë vuajtur jo pak për të thyer rezistencën e skuadrës prizrenase.

Golin e parë e realizoi Albion Rrahmani, në minutën e 86-të, teksa rezultatin përfundimtar e vulosi Lumbardh Dellova, në minutën e 91-të.

Për befasinë e ditës u përkujdes Feronikeli ’74, që në stadiumin “Rexhep Rexhepi” e mposhti skuadrën e elitës, Trepçën’89, me rezultat 1:0.

Golin e vetëm në këtë ndeshje e shënoi Fitim Susuri, me gjuajtje të fortë nga distanca në minutën e 42-të.

Ndërkaq, pjesë e çerekfinales do të jetë edhe Vushtrria që arriti ta mposhtë Flamurtarin në kryeqytet pas penalltive, ngase ndeshja në kohën e rregullt dhe pas vazhdimeve u mbyll 1:1.

Në serinë e penalltive vushtrriasit fituan 4:3.

Katër ndeshjet e tjera të 1/8 së finales zhvillohen nesër, ku takohen: Gjilani – Vjosa, Behari – Prizreni, Malisheva – Fushë Kosova dhe Prishtina – Dukagjini.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat