Hodaj: I pa arsyeshëm shqetësimi i lojtarëve nga hetuesia, kjo sfidë do na bëjë edhe më të fortë

Futboll

Hodaj: I pa arsyeshëm shqetësimi i lojtarëve nga hetuesia, kjo sfidë do na bëjë edhe më të fortë

Më: 22 mars 2023 Në ora: 18:23
Taulant Hodaj

Për arrestimin e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi dhe zhvillimet e fundit rreth këtij institucioni, FFK ka mbajtur një konferencë për media ku janë shpalosur detaje nga ajo që ka ndodhur në dy ditët e fundit.

Para gazetarëve kanë folur ushtruesi i detyrës se Sekretarit të Përgjithshëm, Taulant Hodaj dhe drejtori sportiv i kombëtares, Muharrem Sahiti.

Hodaj u shpreh i pakënaqur me faktin se hetuesia ka hyrë në hoteli ku po qëndronin lojtarët e Kombëtares së Kosovës dhe, sipas tij, ata janë marr në pyetje për gjëra për të cilat ata nuk kanë të bëjnë fare.

Sipas Hodajt, arrestimi i Ademi në këtë moment, dy ditë para se Kosova të nis kampanjën kualifikuese për Euro 2024, është goditje e madhe për futbollin e Kosovës.

Hodaj: Lojtarët janë shqetësuar pa nevojë nga hetuesia

"Momenti, duke pasur parasysh që jemi një ditë, dy, para udhëtimit në Izrael, duke pas parasysh formën dhe përgatitjet që janë bë dhe shansin ideal që e kemi, mendoj që kjo ka qenë një goditje për futbollin e Kosovës, posaçërisht për kombëtaren në këtë moment. Por, ne assesi nuk jemi kundër drejtësisë, vetëm të bëhet në përputhje me normat ligjore. Fatkeqësisht ne jemi informuar nga stafi i kombëtares dhe nga lojtarët që dje ka pas shqetësime të jashtëzakonshme për ta në hotel këtu në grumbullim, që nuk do të duhej të ishin, por sidoqoftë ato do të adresohen në organet përkatëse. Ne i besojmë drejtësisë, besojmë që e vërteta do të jetë në fund...(04:04) Ne besojmë në gjykatën që do ta thotë fjalën e fundit siç e ka thënë në vendimet e tjera, dhe ngushtë do të bashkëpunojmë me organet e drejtësisë.

Tutje ai ka shtuar se këto zhvillime nuk do të ndikojnë në ecurinë e kombëtares, por përkundrazi do ta bëjë atë edhe më të fortë.

Hodaj: Kjo situatë nuk do të ndikojë në ecurinë e kombëtares

"Besojmë fuqishëm se këto sfida që po ballafaqohemi do të na bëjnë më të fortë, në mënyrë që lojtarët të tregojnë, dhe kombëtarja të ketë sukses në këto dy ndeshje shumë kruciale për kualifikimin e Kosovës në Evropian.

Ndërsa drejtori i Kombëtares së Kosovës, Muharrem Sahiti ka folur rreth asaj nëse kjo situatë ka ndikuar në motivin e lojtarëve para ndeshjes së rëndësishme kundër Izraelit. Sipas tij, kjo nuk ka ndikuar në agjendën e punës së ekipit.

Sahiti: Agjenda e kombëtares nuk ka ndryshuar

"Më kontaktuan disa gazetarë edhe u habita për faktin se dikush ka bërë një postim se sot stërvitja pasdite është anuluar. Në fakt, ju ndoshta e keni marrë agjendën më herët, por iu kisha lut që agjendën me marrë ditore, dhe jo agjendën e përgjithshme para dy- tri dite, sepse mund të ndryshojë... (06:52) Agjenda e kombëtares nuk ndryshon, pavarësisht se çfarë ndodhë, por nuk ndryshon. Mund të ketë pakënaqësi, mund të ketë vërejtje në sjelljen e njerëzve, por agjenda nuk ndryshon"

I pyetur nga KosovaPress mbi atë se çfarë janë pyetur lojtarët nga hetuesit, Hodaj ka thënë se nuk ka informacione por që ishte i pa drejtë kontakti me ta dhe se këtë çështje do ta adresojnë në organet e drejtësisë.

Hodaj: S’kemi informacione se çfarë janë pyetur lojtarët

"Kushdo që i ka bë ato shqetësime ndaj lojtarëve, ne do t'i adresojmë në organet përkatëse që janë në kuadër të sistemit juridik të Kosovës, dhe besoj që ata do të ndërmarrin masat, sepse sipas bindjes sonë nuk ka qenë as në përputhje me ligjin, as në përputhje me etikën që lojtarët të shkohen të preken, të kontaktohen, të shqetësohet stafi teknik i kombëtares, posaçërisht këtu, në lidhje me vepra që nuk kanë të bëjnë me kombëtaren....(13:19 Çka do që janë pyet, mendoj që nuk ka qenë në përputhje me ligjin e aplikueshëm, sepse nuk ka pas asnjë urdhër as prej prokurorit, as prej gjykatës, që të bëjnë asi veprime që kanë bërë, që i kanë ndalë lojtarët, që i kanë ndalë stafin, kanë bërë pyetje të ndryshme....(13:41) Vetë fakti që i kanë ndalë, i kanë prekur, i kanë stopuar, i kanë bërë pyetje të ndryshme në hotel, pa iu paraqitur se kush janë e tek, kjo lë shumë për të dëshiruar.”, ka thënë ai.

Agim Ademi është arrestuar nga Policia e Kosovës të martën dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë. Më ta rëndon akuza për “Keqpërdorimi i besimit”, nga neni 330 dhe “Shmangie nga tatimi”, nga neni 307 të KPRK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat