Katër muajt e parakalimit spektakolar

Futboll

Katër muajt e parakalimit spektakolar

Më: 25 prill 2023 Në ora: 14:25
Tirana

Gjashtë ndeshje deri në fund, 18 pikë në lojë dhe një sprint final mes Tiranës e Partizanit, që do të ketë midis edhe një kryqëzim të fundit në derbi.

Titulli do të vendoset pikërisht mes dy kryeqytetasve, me favorit tashmë evident bardheblutë, që janë shumë pranë përsëritjes së suksesit të vitit të kaluar.

E të mendosh që në fund të dhjetorit ishin 4 pikë pas Partizanit e sapo kishin humbur derbin.

Por si erdhën gjërat deri këtu, me të besuarit e Shehit që i shohin të gjithë nga lart me një +5 tepër sinjifikative nga të kuqtë.

E pra, përmbysja në katër muaj, cuditërisht ka statistika pothuaj identike.

Skuadra e Colella në 15 ndeshje të kampionatit ka pësuar 16 gola e ka shënuar 23.

Ekzaktësisht numri i golave që kanë prekur rrjetën bardheblu, që kanë shënuar vetëm një më shumë se rivalët e qytetit.

Atëherë ku qendron diferenca: ajo është në pikët e grumbulluar,me bardheblutë që i kanë shpërndarë golat më drejtë në raportin ndeshje/pikë.

Kryesuesit, pothuaj me të njëjtin numër golash të pësuar e të shënuar kanë marrë ndërkohë 10 fitore, 1 barazim e 4 humbje, për një total prej 31 pikësh.

Colella e humbi kreun dhe u vu në ndjekje, sepse nuk shkoi më shumë se 6 fitore, 4 barazime e 5 humbje, që i vlejnë 22 pikë dhe pikiatën nga +4 në -5 në vetëm 4 muaj.

Sa për totalin e golëve të shënuar dhe pësuar, bardheblutë janë sulmi më i mirë e mbrojtja më e mirë me 46 të shënuar e 26 të pësuar, ndërsa të kuqtë kanë lënë pas vetëm 4 skuadra me 32 të pësuar, aq sa Bylis në zonën e rënise.

Sa për sulmin e dytë më të mirë, Colella vetëm sa përligj vendin e dytë në renditje: me shpresën se deri në derbi, ndoshta Tirana do të pengohet diku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat