McTominay shpëton Ten Hag

Futboll

McTominay shpëton Ten Hag

Më: 8 tetor 2023 Në ora: 14:26
Manchester United

Fitorja dramatike ndaj Brentford në Old Trafford ndryshoi katërcipërisht humorin tek skuadra e Manchester United.

Deri në minutën e 93′ kur McTominay barazoi gjithçka, Djajtë e Kuq po shkonin drejt humbjes së tretë radhazi në të gjitha kompeticionet dhe do të regjistronin humbjen e parë nga Brentford në shtëpi që prej vitit 1937, por McTominay u shfaq në momentin më kritik duke u bërë shpëtimtari i skuadrës.

I aktivizuar në minutën e 87′, si zëvendësues i Amrabat, McTominay luajti tejet i avancuar në fushën e lojës, thuajse në të njëjtën linjë me Hojlund dhe Martial. Guximi i Erik ten Hag u shpërblye, por skocezi e ka treguar edhe në shumë raste të tjera instiktin e golit, për të konfirmuar këtë mjafton të shohim ecurinë e mesfushorit në fushatën eliminatore Euro 2024, ku ka shënuar 6 gola.

”Fergie Time”, thonin me të drejtë pas sfidës tifozët e Manchester United, një shprehje që i referohej enkas golave të çmendur në limite nga Djajtë e Kuq në kohën kur ekipi drejtohej nga Sir Alex Ferguson. Përmbysja ndaj Brentford me golat e realizuar në minutën e 93′ dhe 97′ shënjoi një rekord të ri në historinë e klubit.

Të gjithë e mbajnë mend përmbysjen dramatike të Man.Utd ndaj Bayern Munchen në finalen e Champions League në 1999, kur golin e shënuar në pjesën e parë nga Basler e zhvlerësonin në mënyrë sensacionale finalizmet e Sheringham dhe Solskjaer në të 91′ dhe 93′ për t’i dhënë Djajve të Kuq trofeun me veshë të gjata.

Sidoqoftë, në Premier League, Manchester United nuk kishte përmbysur kurrë një rezultat nga një pozicion humbës me dy gola të shënuar në kohën shtesë. Si rrjedhojë, Scott McTominay nuk do të njihet vetëm si shpëtimtari i Erik ten Hag, por do të mbetet gjatë edhe në librat e historisë së Manchester United.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat