Kombëtarja e Shqipërisë shihet me mundësi të mëdha

Futboll

Kombëtarja e Shqipërisë shihet me mundësi të mëdha

Më: 17 tetor 2023 Në ora: 20:28
Kombëtarja e Shqipërisë

Kombëtarja e Shqipërisë shihet me mundësi të mëdha për t’u kualifikuar në “Euro 2024”, pas fitores ndaj Republikës Çeke dhe pas barazimit të fundit të Moldavisë me Poloninë.

Tomislav Globan, profesor i ekonomisë sportive në Universitetin e Zagrebit, i cili merret me të dhëna sportive, me statistika e me analiza, në rrjetet sociale i ka publikuar projeksionet statistikore të “Euro 2024”, me tabela dhe përqindje të gjasave të Kombëtareve për t’u kualifikuar dhe se në cilat vazo mund të përfundojnë ato.

Globan e ka vënë Shqipërinë në një pozicion mjaft të favorshëm me 99% të mundësive për të shkuar në Evropian dhe me mundësi prej 89% që të përfundojë në vazon e dytë gjatë shortit të “Euro 2024”, i cili do të hidhet në dhjetor të këtij viti.

Kështu, Shqipëria ka mundësi të përfundojë në një grup të kënaqshëm, me një kombëtare më të fortë, që do të jetë në vazon e parë, dhe me dy kombëtare më mesatare. E nëse ekipi i Silvinjos i fiton dy ndeshjet e nëntorit dhe eventualisht ndonjë kombëtare e madhe dështon, atëherë Shqipëria do të jetë bartëse e grupit dhe mundësitë për të ndodhur kjo janë veç 5%.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat