Dama shpall listën e Kombëtares U-15

Futboll

Dama shpall listën e Kombëtares U-15

Më: 26 tetor 2023 Në ora: 18:26
Lista

Shqipëria U-15 është gati për turneun “UEFA Development”, i cili do të mirëpritet dhe organizohet nga FSHF në datat 30 tetor–4 nëntor.

Trajneri Armand Dama ka publikuar listën e 21 lojtarëve të grumbulluar për tre sfidat e Shqipërisë U-15 në “UEFA Development” ndaj Kosovës, Hungarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Janë 12 lojtarë të cilët vijnë nga klubet e  kampionati shqiptar, ku janë përzgjedhur elementët më të mirë, që kanë spikatur në testimet e zhvilluara në ekipet përfaqësuese rajonale e që aktivizohen me skuadrat e Shënkollit, Apolonisë, Partizanit, Labërisë, Tomorrit, Teutës dhe Tirana Young Stars.

Pjesa tjetër e futbollistëve të thërritur vijnë nga kampionatet më të forta në Europë si Inter, Bologna, Roma, Fiorentina, Genoa, Southampton por edhe nga Amerika e largët, aty ku Adri Mehmeti aktivizohet me skuadrën e New York Redbull.

Shqipëria U-15, e drejtuar nga trajneri Armand Dama do të nisë grumbullimin më 27 tetor në kryeqytet, ku kuqezinjtë e vegjël do të zhvillojnë edhe seancat stërvitore në prag të këtij turneu të rëndësishëm e zhvillimor për këtë grupmoshë.

Ndeshjet dhe të gjitha seancat stërvitore do të zhvillohen në fushat e “Shtëpisë së Futbollit”.

Turneu do të nisë më 30 tetor, me Shqipërinë që do të zhvillojë ndeshjen e parë ndaj Kosovës në ora 14:00, ndërsa në po të njëjtën ditë, Maqedonia e Veriut do të sfidojë Hungarinë në ora 11:00.

Takimet e dyta të këtij turneu do të luhen më 1 nëntor, me sfidën Hungari– Kosovë që do të zhvillohet në ora 11:00, teksa kuqezinjtë tanë do të luajnë ndaj Maqedonisë së Veriut në ora 14:00.

Sfidat e fundit në grup do të luhen më 4 nëntor, me Kosovë – Maqedoni e Veriut që do të luhet në ora 11:00 ndërsa Shqipëria luan ndaj Hungarisë në ora 14:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat