Trajneri i Gjimshitit tregon dramën e sllovenit

Futboll

Trajneri i Gjimshitit tregon dramën e sllovenit

Më: 23 nëntor 2023 Në ora: 18:11
Gasperini e Iliçiçin

“Një javë përpara udhëtimit në Lisbonë, për të luajtur kundër PSG-së, shkova për të parë Iliçiçin në një klinikë…

Ai kishte humbur dhjetë kilogramë”. Në një intervistë të gjatë për mikrofonin e Radio Serie A, Xhanpiero Gasperini ndaloi për disa sekonda, dukshëm i prekur dhe i emocionuar, kur fliste për talentin slloven, heroin e netëve magjike të Atalantës në Ligën e Kampioneve.

“Më kujtohet ndeshja ndaj Valencias, ku ai shënoi katër gola. Josip ishte ndër lojtarët më të mirë në Europë, madje jam i bindur se mund të kishte fituar edhe ‘Topin e Artë’.

Por gjatë pandemisë ai filloi të kishte simptoma, nuk ishte mirë, vuajti largësinë nga familja e tij dhe e vuajti shumë dhe keq”.

ITALIA DHE JUVJA – Trajneri i “Dea”-s, në krye të skuadrës së Bergamos që nga viti 2016, tregoi edhe disa prapaskena që ishin përfolur në rang thashethemesh, por që mesa duket paskan qenë të vërtetë.

“Historia ime me Atalantën është e mrekullueshme dhe shpresoj të zgjasë për një kohë të gjatë.

Kemi arritur një dimension të rëndësishëm, ka pasur gjithmonë respekt total mes meje dhe pronarëve. Momenti më i lartë në karrierë? Ndeshja kundër PSG-së, në të cilën ishim vetëm dy minuta larg arritjes së gjysmëfinaleve të Champions-it”. Ndërkohë, për akuzat si diktator, Gasperini tha: “Ishte një gjë mjaft mediatike.

Nga mediat sociale dhe televizionet ka shumë zhurmë dhe pak substancë. Në thelb u kërkoj lojtarëve profesionalizëm të madh dhe ndjenjën e përkatësisë, pastaj është aspekti teknik. Qëndrimet janë themelore, prandaj pronarët dhe unë kemi të njëjtin vizion”.

Trajneri tregoi gjithashtu se në të kaluarën ka qenë pranë stolave të Kombëtares dhe Juventusit. “Lipi më kontaktoi për të më thënë se më kishte sponsorizuar në federatë, por më pas zgjodhën Venturën. Juventusi? Kjo ndodhi kur isha trajner i Xhenoas, por pas asaj tentativë, nuk pati më kontakte të drejtpërdrejta.

Më pas kam qenë gjithmonë nën kontratë në Bergamo, ku ndihem rehat, njësoj si në shtëpinë time”, tha Gasperini.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat