Arbitri turk merr vendimin drastik nga spitali

Futboll

Arbitri turk merr vendimin drastik nga spitali

Më: 12 dhjetor 2023 Në ora: 12:04
Pamje nga dhuna

Në duelin e fundit të javës së 15-të të Superligës Turke, MKE Ankaragücü priti Çaykur Rizespor. Ndeshja përfundoi 1-1, me golat e Olimpiu Morutan dhe Adolfo Gaich. Megjithatë, lajm nuk ishte aspak rezultati.

Presidenti i Ankaragücü, Faruk Koca, i cili nuk ishte i kënaqur me vendimet e kryesorit Meler, zbriti në fushë, duke e rrëzuar arbitrin fillimisht me një grusht të fortë në fytyrë dhe më pas duke e shkelmuar në tokë.

Ndërsa presidenti Recep Tayyip Erdogan dhe ministri i Rinisë dhe Sporteve Osman Aşkın Bak ndanë mesazhe që dënojnë dhunën, ministri i drejtësisë Yılmaz Tunç raportoi se një hetim ka nisur për rastin. Ministri i brendshëm Ali Yerlikaya raportoi se Faruk Koca dhe dy personat që e shoqëronin u arrestuan.

Meler, 37 vjeç, u dërgua në spital, ku iu bë skaneri i kokës dhe kontrolle të tjera mjekësore. Mësohet se arbitri, i cili kishte një plasaritje në mollëza, nuk ishte në rrezik për jetën, por u këshillua të qëndronte nën vëzhgim, në spital, deri në mëngjes.

Siç raporton “A Spor”, Halil Umut Meler iu pohoi të afërmve të tij që shkuan për ta vizituar në spital se do ta braktiste arbitrimin, duke thënë: “Kjo është gjithçka që kam”.

Ky rast brutal, dhuna e pashoqe ndaj tij nga presidenti i klubit Ankaragücü e detyron arbitrin turk, i cili vetëm një muaj më parë drejtoi Real Madrid-Braga në Ligën e Kampionëve dhe ka bërë shpesh drejtësi në ndeshjet e nivelit të lartë, veçanërisht në derbi, t’i japë fund karrierës së tij brilante. Karrierë që mund të kanë zgjatur deri në moshën 50-vjeçare për të.

Çfarë ndodhi të hënën në mbrëmje

Një ndeshje e Superligës Turke shpërtheu në kaos të hënën mbrëma, kur gjyqtari i ndeshjes u godit me grusht në fytyrë nga presidenti i njërës prej skuadrave, përpara se ta godiste me shkelma në kokë kryesorin, ndërsa ishte shtrirë në tokë.

Presidenti i Ankaragucu, Faruk Koca, goditi me grusht në fytyrë arbitrin Halil Umut Meler, në fund të ndeshjes në shtëpi, pasi Rizespor shënoi golin e barazimit në minutën e 97-të. Koca zbriti në fushë dhe goditi arbitrin kur u dëgjua fishkëllima e fundit, në barazimin 1-1 në stadiumin “Eryaman”.

Liga turke është pezulluar pas incidentit. Sipas mediave lokale, të dy, Meler dhe Koca u dërguan më pas në spital. Presidenti Koca pritet të ndalohet nga policia pas trajtimit mjekësor. Arbitri Meler kishte përjashtuar nga një lojtar për secilën skuadër, para barazimit të Rizesporit.

Incidenti arriti shpejt deri te presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, i cili u citua në mediat turke, duke dënuar sulmin: “Dënoj sulmin ndaj gjyqtarit Halil Umut Meler pas ndeshjes MKE Ankaragucu-Caykur Rizespor, të luajtur këtë mbrëmje dhe i uroj shërim të shpejtë. Sport do të thotë paqe dhe vëllazëri. Sporti është i papajtueshëm me dhunën. Nuk do të lejojmë kurrë që të ketë dhunë në sportet turke”.

Presidenti i Federatës Turke të Futbollit (TFF), Mehmet Buyukeksi, më vonë konfirmoi se “Super Liga ishte shtyrë për një kohë të pacaktuar”, pas incidentit të dhunshëm.

37-vjeçari Meler është në listën elitare të arbitrave të UEFA-s, ka gjykuar më parë në Ligën e Kampionëve, si dhe ka drejtuar ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Konferencës, West Ham kundër AZ Alkmaar, sezonin e kaluar.

Rizespor shprehu mbështetjen për arbitrin në një deklaratë, duke thënë: “Ne dënojmë fuqishëm ngjarjet e padëshiruara që ndodhën pas ndeshjes së Ankaragucu, që luajtëm sot. Urojmë që arbitri i ndeshjes, Halil Umut Meler, të shërohet sa më shpejt”.

“Jemi të pikëlluar nga incidenti që ndodhi këtë mbrëmje, – thuhet në një deklaratë të klubit nga Ankaragucu. – I kërkojmë falje publikut të futbollit turk dhe gjithë komunitetit sportiv për incidentin e trishtë që ndodhi pas ndeshjes”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat