Të mërkurën, Shkëndija e Tetovës nis edicionin e ri të Kupës së Maqedonisë me një ndeshje kundër Jeni Maale-s, një skuadër nga Manastiri që garon në Ligën Komunale.
Kuqezinjtë udhëtojnë në Manastir si liderë të kampionatit, pavarësisht barazimit 1:1 në derbin me Shkupin të dielën e kaluar.
Trajneri i Shkëndijës kërkon një qasje maksimale nga të gjithë lojtarët, pavarësisht rotacioneve të mundshme në formacion. Synimet e klubit janë të qarta – të fitojnë si kampionatin, ashtu edhe Kupën këtë sezon.
Edhe pse diferencat mes dy ekipeve janë të mëdha, për Shkëndijën mbetet thelbësore të tregojë profesionalizëm dhe të mos nënvlerësojë kundërshtarin. Ndërkohë, Jeni Maale do të kërkojë të përfitojë nga ky moment historik për të treguar një paraqitje të denjë përballë një prej skuadrave më të mira në vend.
Edhe pse në nivelin më të ulët të garave, Jeni Maale është një ekip ambicioz, i mbështetur nga një grup entuziastësh që ruajnë një traditë të gjatë në futbollin vendor, pavarësisht mungesës së ndonjë suksesi të madh. Ata kanë një organizim të mirë në media sociale dhe këtë përballje me Shkëndijën e shohin si një nga momentet më të rëndësishme në historinë e tyre.
Përballja Jeni Maale-Shkëndija luhet të mërkurën (18 shtator) në stadiumin e qytetit në Manastir.