Kosova shtang armenët
Kombëtarja e Kosovës përkundër shumë mungesave, ka triumfuar me rezultat 5:2 ndaj Armenisë.
Ndeshja miqësore është zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Shtatë gola, dy prej tyre nga 25 metra, dy traversa e një shtyllë, ishin të veçanta e kësaj sfide.
Kosova - Armenia 5:2
Stadiumi "Fadil Vokrri" në Prishtinë.
Shikues: 2000.
Gjyqtar: J. Xhaja (Shqipëria).
Shënues: Dellova (23'), Vojvoda (61'), Emërllahu (71') e Rrahmani (89’ e 90+3) - Shaipi (8' - autogol), Spertsyan (29').
Kartona të verdhë:Harutyunyan.
Kosova: Shaipi, Paçarada (Rrudhani 63'), Dellova, I. Krasniqi, Vojvoda, Jashari, Demaku (Emërllahu 63'), Rexhbeqaj (Muslija 63'), E. Krasniqi (Haxha 63'), Asllani dhe Zabërgja ()Gallapeni 82').
Armenia: Avagyan, Tiknizyan (E. Grigoryan 69'), Harutyunyan, Muradian, Hambardzumyan (Hovhannisyan 63'), Spertsyan, Avanesyan, Harutyunyan, Shaghoyan ((Adoryan 46'), Serobyan (N. Grigoryan 82') dhe Sevikyan (Miranyan 63').
Kosova është paraqitur pa ajkën e futbollistëve, si Vedat Muriqi, Edon Zhegrova, Amir Rrahmani, Milot Rashica, Valon Berisha etj.
Në minutën e 8-të, portieri Amir Shaipi ka reaguar dobët duke e futur topin në këndin e djathtë, kësisoj ka shënuar autogol., 0:1.
Pas shtatë minutave (15') Ermal Krasniqi brenda 16-shi me zhdërvjelltësinë e tij ka mashtruar dy mbrojtës por goditja e tij u ndal nga traversa.
Në minutën e 16-të, Zabërgja pati rast ideal por goditja e tij u ndal nga portieri armen.
Gol që gjatë do të mbetet në kujtesën e Dardanëve është i minutës së 23-të.
Lumbardh Dellova me një lëvizje mjeshtërore nga rreth 25 metra ka dërguar një projektil të vërtetë, duke shënuar eurogol në këndin e djathtë të epërm, 1:1.
Në minutën e 29-të, Spertsyan nga gjuajtja e lirë rreth 25 metra ka shënuar eurogol në këndin e epërm të portierit Shaipi, 1:2.
Pas një minute Ermal Krasniqi shpërdoroi një rast të mirë, goditja e tij u prit nga portieri armen.
Në minutën e 39-të, mbrojtësi Leart Paçarada ka qenë i pafat, goditja e tij nga gjuajtja e lirë mbi 20 metra, fatkeqësisht u ndal nga traversa.
Dy minuta pa u mbyllë pjesa e parë, Zabërgja nga 10 metra nuk shënoi, goditja e tij u ndal nga portieri udhëtues.
Pjesa e dytë filloi furishëm për Dardanët, në minutën e 52-të Baton Zabërgja ballë për ballë por nuk mposhtet portieri rival i cili e ka dëbuar topin në korne.
Në minutën e 54-të Fisnik Asllani në pozitë ballore e i vetëm por topi u ndal në këmbën e portierit.
Baton Zabërgja në minutën e 60-të u pengua dhe gjyqtari pa u hamendur fare akordon penallti.
Në minutën e 61-të, kapiteni Mërgim Vojvoda ka realizuar nga penalltia për rezultatin 2:2.
Në minutën e 71-të zëvendësuesi Lindon Emërllahu nga rreth 15 metra ka realizuar gol të bukur në këndin e epërm të majtë, 3:2.
Në minutln e 73-të Haxha i vetmuar gjuan drejt në trup të portierit, topi i rikthyer të Albion Rrahmani por golin ia mohoi shtylla e djathtë!
Në minutën e 78-të Albion Rrahmani nuk u tregua i zgjuar duke mos arritur të mposht portierin e Armenisë.
Në minutën e 89-të Albion Rrahmani ka shënuar për 4:2.
Në minutën e 90+3 Rrahmani vullosi fitoren në 5:2.
Një fitore luksi për të përzgjedhurit e selektorit Franco Foda.