Rikthimi i Araujo-s në Champions

Futboll

Rikthimi i Araujo-s në Champions

Më: 20 janar 2026 Në ora: 18:09
Flick e Araujo

Barcelona rikthehet këtë të mërkurë në Ligën e Kampionëve, ku do të përballet me Slavian e Pragës në ndeshjen e shtatë të fazës së ligës. Një sfidë vendimtare për katalanasit, që ende nuk e kanë siguruar kualifikimin, por edhe një moment simbolik për Ronald Araujo, i cili rihyn në skenën europiane pas një periudhe të vështirë në aspektin emocional.

Gjithçka ndryshoi pas ndeshjes kundër Chelsea-t në “Stamford Bridge”.

Atje, Araujo u ndëshkua me karton të kuq pas dy paralajmërimeve, duke e lënë Barcelonën me një lojtar më pak që nga minuta e 44-t dhe duke kontribuar në humbjen 3–0. Presioni, kritikat e ashpra në rrjetet sociale dhe ngarkesa emocionale e akumuluar prej kohësh e çuan kapitenin katalanas të thoshte “mjaft”.

Më 25 nëntor, mbrojtësi uruguaian i komunikoi klubit se kishte nevojë të ndalej për të rikuperuar shëndetin mendor.

Vendimi i tij u mbështet plotësisht nga klubi, shokët e skuadrës dhe stafi teknik. Për më shumë se një muaj, Araujo qëndroi larg fushave, duke u trajtuar nga profesionistë dhe duke punuar për të gjetur ekuilibrin e humbur.

Rikthimi i tij ndodhi në finalen e Superkupës së Spanjës kundër Real Madridit, më 11 janar, ku luajti simbolikisht një minutë dhe ngriti trofeun. Që prej asaj dite, ai ka qenë pjesë e listave, edhe pse pa minuta të tjera në fushë.

Sot, Araujo kthehet në Champions i rigjeneruar dhe gati. Edhe pse Hansi Flick ka tashmë një mbrojtje të konsoliduar, lideri uruguaian mbetet një figurë kyçe për Barcelonën.

Me 16 ndeshje, 2 gola dhe 887 minuta këtë sezon, ai është gati të dëshmojë se ndalesa nuk ishte dobësi, por forcë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat