Lukaku në krizë me Napolin

Futboll

Lukaku në krizë me Napolin

Më: 7 maj 2026 Në ora: 15:57
Lukaku

Kriza mes Lukakut dhe Napolit po thellohet.

Sulmuesi belg mbetet jashtë planeve pas vendimit të tij për t’u stërvitur në Belgjikë në fund të marsit, pa miratimin e klubit dhe stafit mjekësor të Napolit.

Synimi i “Big Rom” ishte të rikthehej në formë maksimale, edhe në funksion të Botërorit 2026, por situata është komplikuar edhe në kombëtaren belge.

Sipas mediave italiane, trajneri i kombëtares belge, Rudi Garsia, kërkon garanci për gjendjen fizike të lojtarit dhe dëshiron që ai të luajë të paktën një ndeshje zyrtare para se të vendosë për grumbullimin e tij për Botërorin 2026.

Problemi është se aktualisht duket shumë e vështirë që Lukaku të kthehet në fushë me fanellën e Napolit.

Edhe pse ka pasur një takim pajtues me trajnerin Antonio Konte, raportet mes palëve mbeten të ftohta.

Nuk pritet të grumbullohet për sfidën ndaj Bolonjës, ndërsa ka disa shanse për ndeshjet ndaj Pizës ose Udinezes, ku mund të përshëndesë për herë të fundit tifozët në stadiumin “Maradona”.

Ndërkaq, e ardhmja e Lukakut duket larg Napolit. Për sulmuesin belg flitet për një transferim në Arabinë Saudite ose për një rikthim surprizë në Premier League, te një klub i nivelit mesatar.

Një fund zhgënjyes për një lojtar që pritej të ishte shpëtimtari i Napolit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat