Dinamo e Ferizajt, prej favoritëve më të mëdhenj për të hyrë në elitën e futbollit të Kosovës, ka reaguar pas humbjes në Mitrovicë me rezultat 2:0 nga Trepça ’89, në takimin e javës së 32-të të Ligës së Parë.
Sipas tyre, gjyqtari nuk veproi drejt në rastin e futbollistit Daniel Tette. Dinamovitët tani për tani janë në vend të dytë me 68 pikë të grumbulluara.
“Pas përfundimit të ndeshjes ndërmjet FC Trepça 89 dhe FC Dinamo Ferizaj, ndjejmë obligim të reagojmë lidhur me vendimin e marrë nga gjyqtari në incidentin e ndodhur gjatë takimit.
Pamjet televizive dhe videot e publikuara tregojnë qartë se incidenti iniciohet nga lojtari i Trepçës 89 me numër 5, i cili provokon dhe nis kontaktin e parë fizik.
Po ashtu, gjatë tensionit në fushë ka pasur edhe ofendime në baza racore ndaj lojtarit tonë, gjë që e bën situatën edhe më shqetësuese dhe të papranueshme për futbollin.
Pas këtij momenti, lojtari ynë Daniel Tette reagon në afekt emocional, gjë që ndodh shpesh në tensionin e një ndeshjeje me rivalitet të lartë.
Megjithatë, përkundër rrjedhës së qartë të ngjarjes, gjyqtari mori një vendim të njëanshëm duke ndëshkuar vetëm lojtarin tonë, pa e trajtuar në mënyrë të barabartë përgjegjësinë e të dy futbollistëve të përfshirë në incident.
Një qasje e tillë lë hapësirë për dyshime mbi standardin e gjykimit dhe dëmton parimin e korrektësisë sportive”, ka reaguar Dinamo.