Shpallen listat paraprake për Botërorin

Futboll

Shpallen listat paraprake për Botërorin

Më: 12 maj 2026 Në ora: 15:36
Foto ilustrim

Kur kanë mbetur vetëm 1 muaj nga fillimi i kampionatit Botëror, 48 kombëtaret e kualifikuara kanë dërguar në FIFA listat e tyre paraprake prej 55 futbollistësh, nga të cilat do përzgjidhen vetëm 26 që do të udhëtojnë drejt SHBA-ve, Meksikës dhe Kanadasë.

Vëmendja e madhe është tek Brazili për prezencën apo jo të Nejmarit në Botëror. Trajneri Karlo Ançelotti e ka përfshirë në listën e gjerë të lojtarëve, teksa ai vazhdon të shkëlqejë në kampionatin brazilian me Santosin.

Mungesa e madhe e Seleçaos është Estevao, ndërsa lista përfundimtare do të shpallet më 18 maj. Brazili do të luajë 2 miqësore, me Panamanë dhe Egjiptin.

Tek Argjentina kampione bote, trajneri Lionel Skaloni ka vendosur të lërë jashtë 6 prej futbollistëve që ishin prezentë në Botërorin e fundit dhe fituan trofeun, mes tyre Angel Di Marian për shkak të moshës, por edhe Paulo Dibalën.

Mungojnë gjithashtu edhe Papu Gomez, Angel Korrea dhe Fojth. Nuk ka asnjë dyshim për prezencën e Lionel Messit që do të kërkojë të ruajë kurorën e kampionit.

Luis De La Fuente i Spanjës ka përfshirë në listën prej 55 futbollistësh shumë talente, por gjithashtu edhe lojtarët që janë në dyshim për Botërorin si Merino dhe Niko Uilliams për shkak të dëmtimeve.

Sipas rregullores nuk mund të grumbullohen lojtarë të tjerë përveç atyre që ndodhen në këtë listë paraprake. 

Kampionati Botëror i këtij edicioni do të fillojë më 11 qershor me ndeshjen Meksikë-Afrikë e Jugut.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat