Zuffi para ndeshjes së 200-të me FC Winterthurin

Futboll

Zuffi para ndeshjes së 200-të me FC Winterthurin

Nga: B.S. Më: 20 nëntor 2026 Në ora: 13:03
Zuffi feston me Winterthurin një jubile personal

Pothuajse 20 vjet pas debutimit të tij, Luca Zuffi do të zhvillojë të premten ndeshjen e 200-të me fanellën e FC Winterthur.

Më 19 maj 2007, 17-vjeçari Luca Zuffi debutoi për herë të parë me ekipin e parë të FC Winterthur, në ndeshjen kundër Wohlenit në Challenge League.

Pothuajse 20 vjet më vonë, ai do të luajë sërish në të njëjtën ligë, kur të përballet me Yverdonin dhe për herë të 200-të si profesionist do të mbajë fanellën e klubit ku u formua si futbollist.

Zuffi nuk është shumë i dhënë pas statistikave. Në një prononcim për SRF, ai pranon se jubileu pothuajse i kishte kaluar pa e vënë re.

“Të jem i sinqertë, nuk e kisha pasur fare në mendje. Por të arrish të zhvillosh 200 ndeshje për një klub që e ke në zemër nuk është diçka e zakonshme dhe, natyrisht, më gëzon shumë”.

Periudha më e suksesshme te Baseli

Tashmë 36-vjeçar, Zuffi ka pas vetes një karrierë të rëndësishme.

Nga Winterthuri, rrugëtimi i tij fillimisht e çoi te Thuni. Nga rajoni i Bernës arriti të transferohej te FC Basel, ku kaloi periudhën më të suksesshme të karrierës, nga viti 2014 deri në vitin 2021.

Me Baselin fitoi: Tri tituj kampioni të Zvicrës.

Dy Kupa të Zvicrës.

Zhvilloi 20 ndeshje në Ligën e Kampionëve, ku shënoi dy gola.

Nën drejtimin e Vladimir Petkoviçit, mesfushori zhvilloi gjithashtu katër ndeshje me kombëtaren e Zvicrës.

Pas dy viteve te Sioni, në vitin 2023 ai u rikthye te Winterthuri.

Fakti që karriera e tij do të arrinte në këto nivele nuk ishte aspak i garantuar.
Në moshën 19-vjeçare, Zuffi pësoi këputjen e parë të ligamentit të gjurit.

“Ishte një goditje e rëndë. E dija se dëshiroja të provoja edhe një herë, por për një apo dy vite pata vështirësi. Për fat të mirë, më pas arrita ta gjeja përsëri ritmin”, kujton ai.

Kontrata e Zuffit në Winterthur është e vlefshme, për momentin, deri në fund të sezonit.

Në planin afatgjatë, klubi synon rikthimin në Superligën zvicerane.

A do të realizohet ngjitja që këtë sezon?

“Sigurisht që do të ishte fantastike”, thotë Zuffi.

Megjithatë, ai thekson se skuadra dëshiron të qëndrojë me këmbë në tokë, pasi konkurrenca është e fortë.
Lideri Lausanne-Ouchy aktualisht ka gjashtë pikë më shumë se ndjekësi i tij, Winterthuri.

Me një fitore në transfertë kundër Yverdonit, FC Winterthur mund të krijojë të paktën pesë pikë epërsi ndaj një tjetër rivali në garën për ngjitje.

Për Zuffin mbetet vetëm shpresa që ndeshja e tij e 200-të me Winterthurin të ketë një përfundim më të mirë sesa ndeshja e tij e 250-të me Baselin.

Në atë ndeshje ai pësoi një tjetër këputje të ligamentit të gjurit.

Megjithatë, ai nuk ka frikë se një gjë e tillë mund të përsëritet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat