Milani po përgatitet për ndeshjen vendimtare ndaj Cagliarit në “San Siro”, sfidë që mund të sigurojë kualifikimin në Champions League për sezonin 2026-2027.
Klubi ka vendosur që skuadra të rikthehet në grumbullim nga dita e premte, me qëllim ruajtjen e përqendrimit maksimal para takimit të fundit të kampionatit.
Vendimi është marrë në bashkëpunim mes Massimiliano Allegrit, stafit teknik dhe lojtarëve, pas efekteve pozitive që pati grumbullimi para sfidës me Genoan.
Adrien Rabiot deklaroi se izolimi i skuadrës ndihmoi grupin të stërvitej më shumë dhe të rikthente besimin mes lojtarëve. Allegri pritet të ketë në dispozicion Luka Modriç, i cili është rikuperuar plotësisht dhe mund të rikthehet në formacion.
Gjithashtu, ndaj Cagliarit mund të rikthehen edhe Saelemaekers, Estupinan dhe Rafa Leao, edhe pse asnjëri nuk e ka të sigurt vendin si titullar.
Në sulm, Nkunku dhe Pulisic konsiderohen aktualisht më në formë, ndërsa Gimenez mbetet pas Fullkrug në hierarkinë e repartit ofensiv. Milani siguron matematikisht Champions-in nëse fiton ndaj Cagliarit.