Ja pse Granit Xhaka u veçua si “transferimi i sezonit”

Futboll

Ja pse Granit Xhaka u veçua si “transferimi i sezonit”

Më: 26 maj 2026 Në ora: 23:21
Sunderlandi

Plot 189 transferime u realizuan në Ligën Premier para dhe gjatë edicionit 2025/26, por sipas mediumit të njohur sportiv “The Athletic”, lëvizja më e goditur e sezonit ishte kalimi i Granit Xhakës te Sunderlandi.

Ky vlerësim është pasqyruar edhe nga televizioni zviceran SRF, i cili e cilësoi si një nder të madh për mesfushorin 33-vjeçar, me transferimin e tij që u rendit i pari pas një votimi, duke lënë pas emra të rëndësishëm si Rayan Cherki (Manchester City) dhe Michael Kayode (Brentford).

Arsyeja kryesore pse Xhaka u veçua si “transferimi i sezonit”, sipas “The Athletic”, nuk lidhet vetëm me shifrat apo emrin, por me ndikimin e drejtpërdrejtë te skuadra. 

“Edhe lojtarë gjenialë si Cherki nuk e kanë transformuar ekipin në mënyrën që e ka bërë Xhaka. Ai solli një kulturë të re në klub, brenda dhomës së zhveshjes dhe në gjithë qytetin”, shkruan mediumi britanik.

“The Athletic” ka vlerësuar veçanërisht përvojën, cilësitë e lidershipit dhe gatishmërinë e tij për të qenë i rëndësishëm si në fazën mbrojtëse ashtu edhe në atë sulmuese. 

Me Xhakën në krye, Sunderlandi – i sapongjitur në elitë, e mbylli sezonin në vendin e shtatë, duke siguruar kualifikimin në Ligën e Evropës. 

Për klubin anglez, ky është një rikthim historik në arenën evropiane, pasi hera e fundit kur kishte luajtur në Evropë ishte në edicionin 1973/74, në Kupën e Fituesve të Kupave, ku u eliminua në raundin e dytë nga Sporting Lisbona.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat