Vashat e Kosovës shënojnë sukses duke ngritur në Ligën B!
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është krenarë me futbollistet për fitoren ndaj Gjibraltarit dhe suksesin e ngritjes një rang në Ligën B.
“Kombëtarja jonë e vajzave e ka përmbyllur në mënyrë madhështore rrugëtimin në Grupin 2 të Ligës C për kualifikimet e Kupës së Botës 2027, duke triumfuar si mysafire ndaj Gjibraltarit me rezultat bindës 8:0.
Me këtë fitore, Kosova siguroi vendin e parë në grup, me pikë të barabarta me Kroacinë, por me goldallim më të mirë. Ky sukses u garanton Dardaneve kalimin në Ligën B për ciklin e ardhshëm kualifikues, si dhe pjesëmarrjen në “play-off”-in e kualifikimeve për Kupën e Botës 2027.
Realizimi i këtij objektivi është një arritje historike dhe plotësisht e merituar për vajzat tona, të cilat gjatë gjithë këtij cikli dëshmuan karakter të fortë, shpirt gare, përkushtim dhe besim deri në momentin e fundit.
Ky sukses përbën një tjetër hap të rëndësishëm në zhvillimin e futbollit të femrave në Kosovë dhe është dëshmi e qartë e progresit të vazhdueshëm që është bërë gjatë viteve të fundit.
Përgëzime nga zemra secilës futbolliste dhe stafit teknik në krye me përzgjedhësin Sami Sermaxhaj për këtë arritje historike. Vazhdoni të na bëni krenarë!”, ka shkruar Ademi në profilin e tij në facebook.