Problemi mes Xhevat Rushitit dhe Lulzim Abazit nuk daton nga dje apo sot, ai ka nisur që para tri vitesh.
Burime pranë kampit të Xhevat Rushitit bëjnë të ditur se çështja nuk qëndron te vetë Rushiti. Sipas tyre, Rushiti tash e tri vite i ka nxjerrë në shitje aksionet e tij dhe këtë ofertë, madje me shkrim, fillimisht ia ka bërë pikërisht Lulzim Abazit.
“Xhevat Rushiti i ka në shitje aksionet, por nuk i fal ato. Këtë e di shumë mirë edhe Lulzim Abazi”, ka thënë një burim.
Abazi kërkon që Rushiti t’i përmbushë obligimet që i takojnë si posedues i 30 për qind të aksioneve në klubin e futbollit Ferizaj.
Ndërkohë, Xhevat Rushiti, aktualisht kryetar i Dinamos së Ferizajt, deklaroi se FC Ferizaj udhëhiqet nga anëtarë të familjes së kryetarit të klubit, Lulzim Abazi.
Sipas tij, është familjarizëm brenda klubit.
Në një prononcim për gazetën kombëtare “Bota sot”, Rushiti u përgjigj për Lulzim Abazin: “Është menaxhimi i dobët i tij dhe abuzimi me sponsorët”.
Nga ana tjetër, Abazi i ka bërë thirrje publike Rushitit që ose t’i kryejë obligimet që ka ndaj klubit, ose të largohet nga FC Ferizaj.
Megjithatë, burime pranë Rushitit këmbëngulin se aksionet janë në shitje dhe nuk do t’i falen askujt.
“Kush ka mundësi, le t’i blejë. Aksionet nuk falen”, ka deklaruar burimi pranë kampit të Rushitit.