Legjenda e futbollit francez, Emmanuel Petit, ka vënë në dyshim kandidaturën e Harry Kane për “Topin e Artë”, duke deklaruar se sulmuesi i Bayern Munichut nuk ishte në nivelin e duhur në momentet më të rëndësishme të sezonit.
Edhe pse Kane zhvilloi një sezon të shkëlqyer në Bundesligë dhe vazhdoi të shënojë rregullisht si me Bayernin ashtu edhe me Kombëtaren e Anglisë, Petit beson se paraqitjet e tij në Ligën e Kampionëve dhe në Botëror kanë zbehur ndjeshëm shanset për ta fituar çmimin prestigjioz, shkruan Indeksonline
“Pas këtij Botërori, shanset e Harry Kane për të fituar Topin e Artë janë zvogëluar. Nëse shikon vetëm Bundesligën, ai padyshim do të ishte kandidat, por në Ligën e Kampionëve dhe me kombëtaren, kur gjërat u bënë vërtet të vështira, ai kryesisht u zhduk,” u shpreh Petit.
Ish-mesfushori francez veçoi edhe paraqitjen e Kane në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve ndaj Paris Saint-Germain.
“Harry ishte plotësisht i padukshëm në ndeshjen e dytë gjysmëfinale kundër PSG-së. Ai mund të kishte bërë më shumë. Është për të ardhur keq pas një sezoni kaq të mirë,” shtoi ai.