Sherif Topalli jep dorëheqje 

Futboll

Sherif Topalli jep dorëheqje 

Nga: K.Goca Më: 3 shtator 2026 Në ora: 18:53
Sherif Topalli

Sherif Topalli jep dorëheqje nga pozita e kryetrajnerit të klubit të futbollit Tefik Çanga nga Tërni.   

Tefik Çanga është në krizë të rezultateve në tri ndeshjet e para të edicionit të ri në Ligën e Parë të Kosovës.
Tri ndeshje, ka një barazim dhe dy humbje, duke u renditur në vend të fundit me një pikë.

“Pas afro tre viteve të një rrugëtimi të përbashkët, kam marrë vendimin të jap dorëheqje nga pozita e kryetrajnerit të klubit.

Dua të shpreh falënderimin tim të sinqertë për kryesinë e klubit, futbollistët, stafin dhe të gjithë ata që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi, për besimin, bashkëpunimin dhe mbështetjen gjatë këtyre viteve.

Gjatë kësaj periudhe kemi kaluar momente të rëndësishme dhe kemi arritur rezultate që do të mbeten pjesë e historisë së klubit. Nga Liga e Dytë, ku u shpallëm kampionë dhe siguruam inkuadrimin në Ligën e Parë, deri te sezoni ynë i parë në këtë rang, ku arritëm të ishim një nga skuadrat surprizë të kampionatit dhe e përfunduam sezonin në pjesën e epërme të tabelës.

Një dëshmi e punës së bërë është edhe fakti se shumë futbollistë të ekipit u transferuan në klube të tjera, ndërsa disa të tjerë vazhduan të jenë pjesë e skuadrës falë punës, besimit dhe mbështetjes që iu është dhënë gjatë kësaj periudhe.

Vendimi im për t’u larguar vjen për arsye profesionale , duke vlerësuar se në këtë moment është koha e duhur që rrugët tona profesionale të ndahen.

E bëj këtë hap me respekt të plotë për klubin dhe me bindjen se puna dhe rezultatet e arritura gjatë këtyre viteve flasin vetë.
I uroj klubit shumë suksese në vazhdim dhe falënderoj edhe një herë të gjithë ata që më kanë qëndruar pranë gjatë këtij rrugëtimi.

Nga sot, si gjithmonë, mbetem i hapur për sfida të reja profesionale, oferta dhe projekte të reja, me synimin për të vazhduar rrugëtimin tim në nivele edhe më të larta të futbollit”, ka njoftuar Topalli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat