Jeta e një portieri anglez që luan në futbollin amator, mund të marrë një kthesë dramatike dhe mjaft të pazakontë.
Emri i tij është Xhorxh Desmond Kamurasi dhe ai ruan portën e Se Dons, një klub në Divizionin Premier të Ligës Lindore të Qarqeve Jugore – pjesë e nivelit të nëntë të futbollit britanik.
36-vjeçari dhe familja e tij janë me origjinë nga Uganda, një fakt që luan një rol qendror në këtë histori. Edhe pse Kamurasi është shtetas britanik, i lindur dhe i edukuar atje, ai tani është zgjedhur të bëhet mbreti i popullit Tooro në Ugandë, një vend që ai e ka vizituar disa herë për pushime dhe për të parë të afërmit.
Kohët e fundit, Ojo, kushëriri 34-vjeçar i Kamurasi, ndërroi jetë pas një beteje me kancerin, për të cilin ai kishte kërkuar trajtim në Shtetet e Bashkuara. Ai kishte sunduar këtë komunitet ugandas që nga viti 1995, pasi kishte hipur në fron vetëm në moshën tre vjeç. Tani, sipas mediave britanike, portieri i cili jeton pranë Londrës, është zgjedhur si pasardhësi i tij.
I quajtur “Big-G”, Kamurasi tani duhet të vendosë nëse do të qëndrojë në Angli, ku ka jetuar për vite me gruan dhe fëmijën e tij, apo do të zhvendoset në Ugandë. Familja e tij ka udhëhequr prej kohësh komunitetin Tooro. Në vitin 1954, gjyshi i tij, Mbreti Xhorxh Rukidi III, priti Mbretëreshën Elizabetë II gjatë vizitës së saj në kombin afrikan.