Arsenali kërkon një superyll për krahun e majtë

Futboll

Arsenali kërkon një superyll për krahun e majtë

Më: 10 shtator 2026 Në ora: 16:42
Arsenali

Arsenali ishte i lidhur gjatë afatit kalimtar veror të vitit 2026 me Vinicius Junior dhe Bradley Barcola, por nuk arriti të transferonte asnjërin prej tyre.

Ish-anësori i “Topçinjve”, Jermaine Pennant, ka deklaruar për GOAL se klubi londinez do të detyrohet herët apo vonë të afrojë një futbollist të nivelit të lartë për krahun e majtë të sulmit. Sipas tij, Arsenali është madje më i dobët në këtë repart krahasuar me sezonin e kaluar.

Mikel Arteta ka ndërtuar një skuadër që arriti të fitojë titullin e Premier League, por Pennant beson se në “Emirates Stadium” ka ende hapësirë të konsiderueshme për përmirësime.

Largimet e Trossard dhe Martinellit kanë lënë boshllëk

Një vit më parë, Arsenali investoi shumë për transferimin e sulmuesit suedez Viktor Gyokeres, të cilit iu besua detyra për të zgjidhur problemin e kahershëm të klubit me pozitën e numrit 9.

Gyokeres realizoi 21 gola në sezonin e tij të parë, por aktualisht nuk konsiderohet titullar i padiskutueshëm.

Leandro Trossard luajti një rol të rëndësishëm gjatë sezonit të kaluar dhe shënoi disa gola vendimtarë, por më pas u transferua te Besiktasi.

Ndërkohë, Gabriel Martinelli i dha fund aventurës së tij shtatëvjeçare me Arsenalin dhe iu bashkua Al-Hilalit në Ligën Profesionale të Arabisë Saudite.

Arsenali tentoi Vinicius Junior dhe Barcolan

Gjatë verës pati raportime se Arsenali po monitoronte situatën e Vinicius Junior, në një kohë kur braziliani po vononte rinovimin e kontratës me Real Madridin. Megjithatë, ai vazhdoi qëndrimin në “Santiago Bernabeu”.

Një tjetër objektiv ishte Bradley Barcola. Fituesi i Ligës së Kampionëve u bë i disponueshëm për transferim pas hapjes së mundësisë për largim nga Paris Saint-Germain.

Arsenali kërkoi informacione për kushtet e transferimit, por pasi mësoi se PSG kërkonte rreth 123 milionë funte për kartonin e tij, klubi londinez u tërhoq nga negociatat, ndërsa Liverpooli ndërhyri në garë.

Pavarësisht cilësisë së madhe që Arsenali ka në skuadër, krahu i majtë i sulmit vazhdon të shihet si një repart që mund të përforcohet. Aktualisht aty po aktivizohet Christos Tzolis.

Duke qenë se klubi ka treguar gatishmëri për të investuar shuma të konsiderueshme gjatë viteve të fundit, Arteta pritet të ketë mundësi financiare për një tjetër transferim të madh.

Pennant: Arsenali duhet të transferojë një superyll

I pyetur nëse pret që Arsenali të transferojë një “superyll” për krahun e majtë, Pennant tha se kjo është diçka që duhet të ndodhë.

“Duhet ta bëjnë në një moment, sepse skuadrat e tjera nuk do të qëndrojnë duarkryq.

Në janar jam i sigurt se klube si Chelsea, Manchester United, Liverpool dhe Manchester City do të dalin sërish në treg dhe do të përforcohen. Prandaj edhe Arsenali duhet të veprojë.

Mund të duket e çuditshme, por mendoj se ata në fakt janë dobësuar. Sidomos në repartin ofensiv janë më të dobët sesa sezonin e kaluar, sepse kanë humbur disa lojtarë shumë vendimtarë”, deklaroi Pennant.

Ai veçoi ndikimin që Trossard pati në suksesin e skuadrës.

“Mendoj se pa Trossard ndoshta nuk do ta kishin fituar titullin. Mund të kujtojmë golin kundër West Hamit apo golat e rëndësishëm ndaj Aston Villas.

Pastaj humbën edhe Martinellin. Është e vërtetë se statistikat e tij kishin rënë, por përsëri ishte një futbollist që mund të hynte nga banka dhe të ndryshonte një ndeshje.”

Sipas Pennant, Arsenali nuk i ka zëvendësuar plotësisht këta dy futbollistë.

“Në të vërtetë, përveç Tzolis, nuk kanë sjellë një zëvendësues tjetër. Nëse ai lëndohet, krahu i majtë do të ketë probleme serioze.

Mund ta vendosësh Eberechi Ezen aty, por ai nuk është anësor, është mesfushor.”

Pennant pranon se Arsenali është përforcuar në mbrojtje, por beson se sulmi kërkon ende investime.

“Po, janë më të fortë në mbrojtje. Por në sulm mendoj se patjetër duhet të përforcohen. Duket se Gyokeres nuk është më zgjedhja e parë dhe janë rikthyer te Kai Havertz, i cili asnjëherë nuk ka qenë një sulmues që garanton 15 apo 20 gola në sezon.”

Arteta synon trofe të tjerë

Kai Havertz e ka nisur sezonin 2026/27 si qendërsulmuesi kryesor i Arsenalit, ndërsa Gyokeres është detyruar të kënaqet kryesisht me rolin e rezervistit.

Kapiteni Martin Odegaard ka rigjetur formën e tij të mirë në rolin e organizatorit, ndërsa Bukayo Saka ka realizuar dy gola deri tani.

Arsenali ka pasur një fillim perfekt, duke fituar tri ndeshjet e para në Premier League dhe sfidën hapëse të Ligës së Kampionëve kundër Napolit.

Arteta mund të argumentojë se ka në dispozicion një skuadër të aftë për të luftuar sërish për trofe, por krahu i majtë i sulmit mbetet një repart që mund të jetë në fokus gjatë afatit të ardhshëm kalimtar. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat