Saliou Sembene është zyrtarisht futbollist i Dinamos.
Klubi ka njoftuar afrimin e qendërmbrojtësit përmes një komunikimi në faqen e tyre zyrtare.
Me “blutë” e kryeqytetit, Sembene ka firmosur një kontratë 3-vjeçare, pra të vlefshme deri në verën e vitit 2029 dhe pritet të mbajë veshur fanellën me numrin 17.
Së fundmi, senegalezi ka qenë pjesë e Partizanit po në Superiore, ku me të kuqtë ka luajtur për 5 vite, periudhë kjo e konsiderueshme për të kalitur edhe eksperiencën e duhur në futbollin vendas për cilësitë e tij në linjën e prapavijës.
Kujtojmë, Sembene është shpallur kampion me “Demat e Kuq” në sezoni 2022/23 si dhe Superkupën e Shqipërisë në 2023/24. Një tjetër përforcim me peshë për trajnerin Ilir Daja i cili do të ketë mundësinë të llogarisë tek shërbimet e tij në ndeshjet e ardhshme të kampionatit.
NJOFTIMI:
"Klubi i Futbollit Dinamo ka kënaqësinë të njoftojë se ka siguruar shërbimet e qendërmbrojtësit Saliou Sembene.
Mbrojtësi senegalez ka nënshkruar një kontratë trevjeçare me klubin dhe do të mbajë fanellën me numrin 17.
I lindur në Senegal më 26 tetor 2001, Saliou Sembene është formuar në vendin e tij përpara se të mbërrinte në Shqipëri në verën e vitit 2021, ku nisi rrugëtimin e tij në futbollin profesionist me fanellën e Partizanit.
Gjatë pesë sezoneve në kampionatin shqiptar, Sembene ka fituar eksperiencë dhe është afirmuar në rolin e qendërmbrojtësit. Nga sot, ai nis një kapitull të ri në karrierën e tij, si lojtar i Dinamos.
Dinamo i uron mirëseardhjen Saliou Sembene dhe i dëshiron shumë suksese, si në aspektin individual ashtu edhe me skuadrën, duke nderuar fanellën legjendare dinamovite."