Gjoka: “Final Four” la shije jo të mirë

Futboll

Gjoka: “Final Four” la shije jo të mirë

Më: 15 shtator 2026 Në ora: 19:46
Ernest Gjoka

Trajneri Ernest Gjoka, analizoi në Klan News, ndeshjet e para të Kategorisë Superiore, ku veçoi Teutën si risi, për shkak të ndryshimeve të bëra në merkato.

Sipas tij, Teuta, Dinamo dhe Egnatia janë skuadrat më të kompletuara të momentit në elitë.

“Teuta është risia e sivjetshme për shkak të ndryshimit që ka bërë skuadra. Dhe sigurisht që deri tashmë po na jep një tjetër nivel, po na jep një tjetër një tjetër qasje.

Dhe pa diskutim që mendoj që bashkë me Dinamon dhe Egnatian, ky fillim kampionati i këtij viti është ndryshe për këto tre skuadra.

Janë tre skuadra, për mendimin tim, më të kompletuarat të momentit. Sigurisht që kampionati tashmë sa po ka hyrë në rrjedhën e tij natyrshme dhe do të kemi dhe ndryshime ndoshta të skuadrave të tjera që janë pretendente, por për momentin këto tre skuadra po bëjnë shumë mirë”, tha Gjoka.

Ai deklaroi se “Final Four” la një shije jo të mirë në sezonin e kaluar, ndërsa theksoi se me formatin e ri do të ketë më shumë garë. Gjoka foli me superlativa për rregullin e lojtarëve të ri, duke thënë se do të nxjerrë një brez shumë të mirë, ndërsa shtoi se duhej të ishte bërë më parë.

“Vitin që kaloi Final Four-i na la një shije jo të mirë. Kurse ky formati i ri mendoj se do të ketë më shumë garë, do të ketë gjëra më interesante. Është për t’u parë sepse është viti i parë që bëhet ky format.

Por unë mendoj që një nga risitë e këtij kampionati nuk është vetëm formati, por gjëja më e mirë që kanë arritur më në fund krerët e futbollit që të diktojnë për lëvizjet e futbollistëve të rinj të marrin pjesë në fushë. Dhe kjo ishte një gjë që duhet ta kishim bërë më përpara.

Dhe unë mendoj që kampionati shqiptar tashmë, në qoftë se ne nuk do ta heqim këtë ligj, por do ta mbajmë të paktën minimumi një 5 vjet, ne unë mendoj që do të fitojmë një brez të ri lojtarësh.

Dhe kjo është risia dhe mrekullia më e bukur e këtij kampionati, sepse do të rrisim brezat që po humbnim dhe po humbnim futbollistë shqiptarë, nuk po kishte më dhe gjithçka po shikohej nga jashtë Shqipërisë. E para është shumë e mirë për zhvillimin e futbollistëve të rinj, dhe e dytë është për t’u parë”, deklaroi Gjoka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat