Pas ndryshimit në stolin e kombëtares, duket se nuk ka më vend për Leroj Sane në ekipin përfaqësues të Gjermanisë.
Edhe pse Klop nuk dëshiron ta përjashtoj plotësisht mundësinë e rikthimit të ish lojtarit të Bajernit, aktualisht ka pak shenja që anësori të rikthehet në listën e kombëtares.
Mario Basler e mirëpret këtë vendim. Kur Jurgen Klop u pyet për mungesën e Leroj Sane gjatë shpalljes së listës së tij të parë si trajner i kombëtares, pasardhësi i Julian Nagelsmanit zgjodhi fjalë të qarta.
“Leroj nuk ka gjetur vërtet ritmin e tij këtë sezon”, tha Klop, duke iu referuar paraqitjeve të dobëta të sulmuesit te Galatasaraji. Ai shtoi se “sigurisht që do të flas sërish me Sane, por ende nuk e kam bërë këtë”. Në Botëror, 30 vjeçari ishte ende titullar i rregullt, por zhgënjeu për periudha të gjata, ashtu si edhe shokët e tij të skuadrës. Goli i tij i vetëm në turne, ndaj Ekuadorit, erdhi pas një gabimi të qartë të gjyqtarit.
Prandaj, nuk është aspak befasuese që Mario Basler, i cili e kishte kritikuar shpesh Sane në të kaluarën, e mbështet përjashtimin e ish lojtarit të Mynihut. “Ai nuk e bën dot punën në aspektin defensiv, presingun”, analizoi ai. Sipas Baslerit, qasja e Klopit bazohet “thjesht te paraqitjet” dhe lojtari që aktivizohet në Turqi nuk po jep mjaftueshëm. Sané “nuk përshtatet me idetë e trajnerit të ri të kombëtares”: “Tani të gjithë e dinë se ku qëndrojnë”.
Pas Botërorit zhgënjyes, Klop ka grumbulluar një listë të zgjeruar prej 44 lojtarësh për Ligën e Kombeve, të ndarë në dy grupe. Plot 16 lojtarë pa përvojë me kombëtaren janë përfshirë në skuadrën për ndeshjet ndaj Holandës, Greqisë, dy herë, dhe Serbisë.
Përveç Sanes, në listën e të grumbulluarve nuk janë përfshirë as lojtarët e Shtutgartit, Deniz Undav dhe Angelo Stiler si dhe Maksimilian Baier i Dortmundit. Ky i fundit reagoi menjëherë gjatë fundjavës, duke shënuar golin e fitores për Dortmundin në transfertën ndaj Shtutgartit.