Liga e Kombeve, bujare për klubet

Futboll

Liga e Kombeve, bujare për klubet

Më: 25 shtator 2026 Në ora: 14:12
Foto ilustrim

Liga e Kombeve nuk sjell të ardhura vetëm për federatat kombëtare.

Edhe klubet që lejojnë futbollistët e tyre të grumbullohen me Kombëtaret përfitojnë financiarisht nga UEFA, përmes Programit të Përfitimeve të Klubeve.

Për ciklin e EURO 2028, UEFA ka parashikuar një fond total prej 244 milionë eurosh.

Nga kjo shumë, 104 milionë euro do t’u shpërndahen klubeve për ndeshjet e Ligës së Kombeve 2024/25 dhe 2026/27, si dhe për kualifikueset e Europianit 2028.

Ndërkohë, 140 milionë euro të tjera janë parashikuar për klubet që vënë futbollistët e tyre në dispozicion të Kombëtareve gjatë fazës finale të EURO 2028.

Për Ligën e Kombeve dhe ndeshjet kualifikuese, UEFA përdor një formulë të bazuar te numri i lojtarëve të regjistruar në listën zyrtare të ndeshjes dhe numri i sfidave.

Sipas përllogaritjeve të UEFA-s, kompensimi për ciklin aktual është rreth 4 mijë euro për çdo lojtar të grumbulluar për çdo ndeshje.

Kjo do të thotë se një klub që ka pesë futbollistë të grumbulluar në një ndeshje të vetme të Ligës së Kombeve mund të përfitojë rreth 20 mijë euro vetëm për atë sfidë.

Dhe pagesa nuk kushtëzohet nga aktivizimi i futbollistit.

Pra, lojtari nuk ka nevojë të zbresë në fushë. Mjafton të jetë pjesë e listës zyrtare të ndeshjes që klubi i tij të përfitojë kontributin përkatës.

Një tjetër detaj i rëndësishëm lidhet me lojtarët e huazuar. Përfitimin e merr klubi ku futbollisti është i regjistruar në momentin kur zhvillohet ndeshja, dhe jo domosdoshmërisht klubi që zotëron kartonin e tij. 

Programi zbatohet vetëm për klubet që janë të lidhura me një federatë anëtare të UEFA-s.

Nëse një futbollist i një Kombëtareje europiane është i regjistruar te një klub jashtë konfederatës europiane, ai klub nuk përfiton nga ky mekanizëm.

Me pak fjalë, disa prej futbollistëve të grumbulluar nga kombëtarja shqiptare nuk dërgojnë të ardhura te klubet respektive.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat