Marc Cucurella u kthye në një prej protagonistëve më të diskutuar të sfidës mes Kroacisë dhe Spanjës, edhe pse nuk ishte autori i golit vendimtar.
Mbrojtësi spanjoll shkaktoi zemërimin e tifozëve dhe mediave kroate pas aksionit që solli kartonin e dytë të verdhë dhe përjashtimin e Ivan Perisic-it.
Spanja triumfoi 2:1 ndaj Kroacisë, ndërsa pas ndeshjes në vendin ballkanik pati shumë kritika për sjelljen e Cucurella-s në atë episod.
Vetë lojtari spanjoll e konsideroi vendimin e arbitrit të drejtë. “Mendoj se është e qartë, ka kontakt, karton i dytë i verdhë dhe nuk ka asgjë për të kundërshtuar.
Ata duhet të mbrojnë ekipin e tyre dhe na i vështirësuan shumë gjërat.
Duhet të mbetemi te reagimi që patëm në ndeshje, ndoshta e nisëm disi të përgjumur”, deklaroi Cucurella.
Por në Kroaci situata u pa ndryshe. Pas atij momenti, sa herë që Cucurella prekte topin, nga tribuna shpërthenin vërshëllimat. Tifozët kroatë kujtuan edhe episodin e famshëm të Euro 2024, kur Cucurella u përfshi në një tjetër moment shumë të diskutuar, pasi topi i goditi dorën në zonë gjatë ndeshjes mes Spanjës dhe Gjermanisë.
Bilic: Kush nuk zemërohet me të nëse nuk është në ekipin e tij?
Trajneri kroat, Slaven Bilic, ishte ndër kritikët më të ashpër të mbrojtësit spanjoll.
“Kush nuk është i zemëruar me Cucurellën nëse nuk është në ekipin e tij? Është një lojtar i madh dhe unë e admiroj për atë që bën në fushë dhe për historinë e djalit të tij. Ai e mbron ekipin e tij me gjithçka, por është e qartë që provokon”, u shpreh Bilic.
Sipas tij, Cucurella ka tendencën të rrëzohet shumë lehtë në duele, duke ndikuar në vendimet e arbitrave.
Edhe Luka Modriç nuk e fshehu zhgënjimin pas ndeshjes.
Kapiteni kroat u pyet drejtpërdrejt për përplasjen mes Cucurella-s dhe Perisic-it, por preferoi të mos zbulonte detajet e debatit me mbrojtësin spanjoll.
“Çfarë duhet të komentoj? Cucurella vendoset në atë pozicion... Nëse Perisiç nuk do të ishte përjashtuar, pa dyshim që nuk do ta kishim humbur ndeshjen. Më mirë të mos them çfarë i thashë Cucurella-s”, deklaroi Modriç.
Në Kroaci, reagimi i Cucurella-s u cilësua si provokues dhe jo sportiv, veçanërisht për faktin se mbrojtësi kërkoi menjëherë karton për kundërshtarin pas rrëzimit. Po ashtu, u komentua edhe momenti kur arbitrit Erik Lambrechts i ra kartoni i kuq në tokë dhe Cucurella u tregua i shpejtë për ta marrë dhe për t'ia dorëzuar gjyqtarit.
Polemika mori përmasa edhe më të mëdha nga komentatori gjerman i DAZN, Jan Platte, i cili vuri në dukje reagimin e tifozëve kroatë ndaj Cucurella-s.
“Ka futbollistë të tjerë që do të kishin reaguar ndryshe nga Cucurella. Nuk e kam fjalën për rrëzimin, por për gjestin e tij më pas, kur kërkoi menjëherë kartonin. Në parim, është një sjellje krejtësisht e papranueshme. Por në rastin e tij nuk është diçka e pazakontë”, tha Platte.
Më pas, duke iu referuar atmosferës në stadium, komentatori gjerman shtoi:
“Tani, sa herë që Cucurella merr topin, vërshëllimat dëgjohen sikur të ishte duke luajtur në Gjermani.”
Kështu, krahas fitores 2-1 të Spanjës, një nga temat kryesore pas ndeshjes mbeti pikërisht Cucurella, i cili tashmë duket se ka krijuar një reputacion të veçantë te tifozët kundërshtarë pas disa episodeve të diskutueshme.