Mislav Karoglan ka nisur menjëherë nga puna te Partizani, pasi u prezantua nga klubi si trajneri i ri i të kuqve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kroati shihet duke drejtuar stërvitjen e parë së bashku me asistentin e tij në “Shtëpinë e Futbollit”, ndërsa në fokus është ndeshja me Vorën që përkon dhe me të parën e tij zyrtare në stolin e Partizanit.
Karoglan shihet si një zgjedhje e duhur e bërë nga drejtuesit, disa ditë pasi “lanë duart” me të larguarin Florin Bratu.
Misioni i “Demave të Kuq” është që së paku skuadra të largohet nga pozitat e vështira në të cilat ndodhet, për të tentuar më pas diçka më shumë në vazhdimësi.
Ndeshjen me Vorën, Partizani do ta luajë të dielën në orën 13:30.
Pas humbjes në derbi me Tiranën, të kuqtë kërkojnë reagimin e menjëhershëm për të mos humbur më shumë terren me skuadrat e mesit të tabelës, pasi për të tentuar pozicionet e Europës do të duhet vërtetë shumë punë.