Gati projekti historik për Vllazninë

Futboll

Gati projekti historik për Vllazninë

Më: 1 nëntor 2026 Në ora: 11:03
Alban Xhaferi, Presidenti i Vllaznisë

Vllaznia pritet që së shpejti të ketë një kompleks modern sportiv, i quajtur ndryshe “Vllaznia Elite Campus”.

Ky është projekti i ri që do të marrë jetë nga duart e presidentit Alban Xhaferi, ndërsa investimi është i konceptuar në dy faza.

E para do të jetë e dedikuar për 4 fusha futbolli, tri me bar natyral dhe një sintetike, e cila do të vijë si bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit.

Sa i takon të dytës, aty do të përfshihet një stadium modern me rreth 3 mijë vende, ambiente sportive multifunksionale, kompleks hotelier, qendër përgatitje dhe rikuperimi, SPA, pishinë dhe infrastrukturë për grumbullime sportive ndërkombëtare.

Sipërfaqja e menduar për këtë investim të rëndësishëm mendohet të jetë rreth 70 mijë metra katrorë, në zonën e Omarajt në Malësinë e Madhe, vetëm 10 minuta nga Shkodra.

Me këtë projekt ambicioz, presidenti Alban Xhaferi kujdeset që Vllaznisë t’i mundësohet një tjetër perimetër zhvillimi, krahas asaj çfarë po bën me ekipin e parë të Vllaznisë, akademinë e klubit si dhe skuadrën e femrave.

Sipas Xhaferit, ky projekt u mundësohet gjeneratave të sotme dhe atyre që do të vijnë në vitet në vazhdim që do të rriten me ngjyrat traditë kuqeblu të Vllaznisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat