Futbollisti Kenan Yildiz është pranë një hapi të rëndësishëm drejt rikthimit në fushë. Pas një periudhe të gjatë jashtë aktivitetit, sulmuesi i Juventusit pritet të rifillojë gradualisht stërvitjen gjatë javëve të ardhshme, megjithëse rikthimi në ndeshje zyrtare nuk parashikohet përpara muajit dhjetor.
Futbollisti turk nuk luan që prej fundit të gushtit, kur pësoi një frakturë në kockën e pestë metatarsale të këmbës së majtë. Ky dëmtim e ka detyruar të qëndrojë larg fushave dhe të ndjekë nga tribuna paraqitjet e shokëve të skuadrës.
Megjithatë, situata duket se po përmirësohet. Dhimbjet në këmbën e majtë janë pakësuar dhe kjo do t’i mundësojë numrit 10 të bardhezinjve të nisë punën për rikuperimin fizik, duke rritur gradualisht ngarkesën në stërvitje.
Në Torino, drejtuesit dhe stafi teknik nuk kanë ndërmend të rrezikojnë me rikthimin e tij. Prioriteti është rikuperimi i plotë, pasi një nxitim i panevojshëm mund të shkaktojë përsëritjen e dëmtimit dhe ta mbajë lojtarin edhe më gjatë jashtë fushave.
Objektivi i radhës është data 14 dhjetor, kur Juventusi do të përballet me Monzën. Kjo ndeshje shihet si një mundësi për të parë sërish Yildiz në dispozicion të skuadrës, nëse procesi i rikuperimit do të ecë sipas planit.
Rikthimi i tij do të ishte një lajm i rëndësishëm për trajnerin Luciano Spalletti. Talenti, kreativiteti dhe aftësia për të krijuar situata të paparashikueshme në sulm janë cilësi që Juventusit i kanë munguar gjatë mungesës së futbollistit turk.