Ditën e sotme, prej orës 16:00, do të çelë java e 12-të në Abissnet Superiore me sfidën Skënderbeu - Egnatia. Në prag të kësaj përballjeje, ka folur para mediave trajneri i kampionëve, Nevil Dede:
"Kjo periudhë pauze apo pushimi na ka ndihmuar shumë edhe për të përfituar kohë për rikuperimin e Grudës, por mbi të gjitha për të fituar ekipi freskinë dhe të punonim në disa elementë që kemi nevojë t’i rregullojmë.
Skënderbeu realisht nuk ka humbur asnjë ndeshje në shtëpi. Kjo është shumë domethënëse. Skënderbeu është një ekip me traditë dhe shumë histori, sidomos në 20 vitet e fundit në futbollin shqiptar.
Në vlerësimin tim personal, por edhe të djemve dhe skuadrës, e respektojmë maksimalisht dhe ajo që është më e rëndësishme, duhet t’i japim hakun që i takon. Kjo është një nga elementët kryesorë që kemi diskutuar me djemtë gjatë javës.
Për sa i përket objektivave tona, ne kemi besim te vetja, te grupi, kemi ndërtuar identitetin tonë dhe do të shkojmë atje pa arrogancë, me përgjegjësinë maksimale, për të dhënë më të mirën tonë dhe në fund fare të arrijmë objektivat që ne kemi. Fusha do të tregojë sa të përgatitur jemi."