Edhe në moshën 41-vjeçare, Luka Modriç vazhdon të gjejë sfida të reja sportive. Me fanellën e Milanit, së shpejti do të përballet me Frosinonen, që do të jetë kundërshtari i 227-të i ndryshëm në karrierën e tij të gjatë.
Mes 155 kundërshtarëve në nivel klubesh dhe 72 kombëtareve me të cilat është përballur deri më tani, nuk ka qenë kurrë një skuadër nga zona e Ciociarias.
Brenda vetëm dhjetë ditësh, Modriç ka luajtur në “Wembley”, ku u aktivizua si zëvendësues kundër Anglisë, më pas në “Opus Arena”, ku si kapiten luajti të gjithë ndeshjen në fitoren kundër Çekisë. Pasnesër e pret dueli me Frosinonen në “San Siro”.
Kështu shkruan gazeta italiane “Gazzetta dello Sport” në artikullin me titullin “Po kë quani ju të moshuar?”, ku shpreh admirimin për kapacitetet sportive të Luka Modriçit.
I vetmi mes titullarëve të Milanit që luajti 90 minuta në ndeshjen e fundit me kombëtaren
Gjatë karrierës së tij në klube, duke luajtur për Zrinjskin, Inter Zapreshiçin, Dinamon, Tottenhamin, Real Madridin dhe Milanin, Modriç është përballur me skuadra nga 35 shtete të ndryshme, nga Moldavia dhe Azerbajxhani deri te Japonia dhe Meksika.
Tani, në moshën 41-vjeçare, ai do të udhëheqë mesfushën e Milanit kundër Frosinones, skuadër që drejtohet nga Massimiliano Alvini dhe që është një nga surprizat e këtij sezoni.
Dje u rikthye në stërvitje dhe është gati të marrë një rol kyç në skuadër pas angazhimeve me kombëtaren.
Ai është i vetmi ndër lojtarët që pritet të jenë titullarë, i cili sapo ka zhvilluar të gjitha 90 minutat me përfaqësuesen e tij.
Të gjithë 90 minutat me kombëtaret e tyre i luajtën gjithashtu Jashari, Bartesaghi dhe Diawara.
Maignan dhe Rabiot u zëvendësuan për shkak të lëndimeve, Moreira doli nga loja në ndeshjen e përfaqësueseve të reja, ndërsa edhe Pulisic u zëvendësua në ndeshjen me fanellën e SHBA-së. Cisse dhe Estupinan u aktivizuan nga stoli.
Karriera e Modriçit me kombëtaren, e cila zgjat prej më shumë se 20 vitesh, e ka përballur atë me kundërshtarë nga të gjitha anët e botës, nga Argjentina në vitin 2006 deri te Çekia.
Roli i tij te Milani nuk është aspak dytësor.
Ai është njëri prej tetë lojtarëve të klubit, pa llogaritur portierët, që këtë sezon kanë grumbulluar më shumë se 800 minuta lojë në kampionat dhe në kupat e ndryshme.
Ka zhvilluar 13 ndeshje, prej të cilave 11 në Serie A, ku tetë herë ka qenë në formacionin titullar, si dhe dy ndeshje në Ligën e Evropës.
Me Kroacinë ka luajtur gjashtë ndeshje në Ligën e Kombeve, katër prej tyre si titullar.
Edhe pse ndeshja kundër Spanjës, më 6 tetor, ishte menduar të ishte lamtumira e tij nga kombëtarja, ai vendosi të vazhdojë të luajë.
Nga gushti deri më sot, ka zhvilluar 19 nga 21 ndeshjet e mundshme, duke kaluar gjithsej 1.114 minuta në fushë.