Trajneri i Real Madridit Jose Mourinho këmbëngul se Vinicius mund të jetë vendimtar dhe thekson rëndësinë që ka ai për grupin, por nuk i garanton askujt vendin në formacionin titullar.
Jose Mourinho e dinte se çfarë e priste. Rikthimi i Viniciusit pas katër ndeshjeve pezullim, përmirësimi i dukshëm i skuadrës në mungesë të tij dhe pesë golat e brazilianit me kombëtaren e Brazilit krijuan një situatë mjaft të ndërlikuar.
Për këtë arsye, ai reagoi që në pyetjen e parë të konferencës për shtyp, e cila zakonisht bëhet nga kanali zyrtar i klubit:
“Faleminderit për të vetmen pyetje që lidhet me ndeshjen”, tha ai.
Mourinho e bëri të qartë se askush në skuadër nuk e ka të garantuar vendin. Ai këmbënguli se nuk dëshiron të flitet vetëm për 11 lojtarët titullarë, por për një skuadër të plotë, e aftë të përballojë kalendarin e ngjeshur të ndeshjeve.
Për ndeshjen e nesërme kundër Celta Vigos:
“Faleminderit për të vetmen pyetje rreth ndeshjes. Celta është shumë më e mirë sesa tregojnë pikët që ka grumbulluar. Ata na kanë mundur sezonin e kaluar, luajnë në Evropë dhe ndoshta kjo u ka marrë disa pikë, por nesër ky faktor nuk ekziston.
Skuadra ka pasur kohë të punojë gjatë këtyre dy javëve. Ata pësojnë pak gola, sepse janë shumë të organizuar. Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne.
Kemi kaluar shumë kohë larg Bernabeut, por kemi bërë mirë. Sot është dita e parë që jemi të gjithë së bashku, por jemi mirë dhe njerëzit janë të lumtur që jemi rikthyer.”
Për rikthimin e Viniciusit dhe deklaratat e tij rreth përgatitjes së pamjaftueshme pas Botërorit:
“Tani është dimër dhe kjo është periudha që na intereson. Vera ka kaluar, prandaj kam pak për të thënë për deklaratat e Viniciusit.
Po hyjmë në një periudhë të vështirë, me tri kompeticione. Më pas vjen Superkupa. Është e qartë se duam një Vinicius në formën më të mirë dhe kjo është ajo që presim.”
A do të rikthehet Vinicius si titullar apo nga stoli?
“Titullar, në stol apo në tribunë... është njësoj.
Është diçka e çuditshme, sepse para dy javësh Viniciusi ishte problemi më i madh, ndërsa pas golave që shënoi me Brazilin, tani flasim nëse duhet të luajë apo jo, nëse duhet të jetë titullar apo jo. Mendoj se kjo është e tepërt.
Ajo që po them tani e kam thënë edhe më parë: ai është një lojtar i jashtëzakonshëm, ne e duam dhe kemi nevojë për të. Ne e ndihmojmë, por këtu nuk ka lojtarë me privilegje.
Askush nuk duhet të luajë vetëm sepse e kërkon emri apo statusi i tij. Lojtarët duhet të punojnë.
Real Madridi duhet të ketë një skuadër të fortë, me shumë lojtarë të mirë. Kjo histori se kush luan dhe kush nuk luan...
Kam 23 lojtarë ose më shumë dhe do të më duhet t'i lë disa prej tyre në tribunë. Kjo është jeta që unë dua për Real Madridin dhe është ndryshe nga puna juaj.
Unë nuk dua vetëm 11 lojtarë të mirë. Dua shumë lojtarë të mirë.”