Bale: Është e pabesueshme ta shikosh Modriçin

Futboll

Bale: Është e pabesueshme ta shikosh Modriçin

Më: 11 nëntor 2026 Në ora: 23:04
Gareth Bale dhe Luka Modriçi

Gareth Bale, ish-futbollisti uellsian dhe bashkëlojtar për shumë vite i Luka Modriçit, e ka lavdëruar në superlativ mesfushorin kroat në një video të publikuar në rrjetet sociale të Laureusit, organizatës që çdo vit ndan çmimet prestigjioze për sportistët më të mirë në botë.

Bale e krahasoi Modriçin me verën e cilësisë së lartë dhe theksoi se sa shumë e impresionon jetëgjatësia e tij në futboll.

“Luka është si vera e cilësisë së lartë: sa më shumë kalojnë vitet, aq më i mirë bëhet. Me të kam luajtur më së shumti ndeshje gjatë karrierës sime. Është e pabesueshme të shohësh se çfarë lojtari është në stërvitje dhe se si të gjitha ato cilësi i bart edhe në ndeshje.

Fakti që ai vazhdon të luajë në një nivel të tillë, pavarësisht moshës që ka, është vërtet diçka e veçantë.

Është e qartë se fizikisht nuk është ndonjë lojtar veçanërisht i madh, por është e pabesueshme ta shikosh se si lëviz në fushë, si e kontrollon topin dhe si e drejton atë.

Mendoj se të gjithë ata që luajnë kundër tij ose përkrah tij e vlerësojnë jashtëzakonisht shumë atë që ai është në gjendje të bëjë”, ka thënë Bale.

bBale dhe Modriç për shumë vite kanë ndarë të njëjtën dhomë zhveshjeje. Për herë të parë luajtën së bashku te Tottenhami, ku mesfushori kroat ishte transferuar nga Dinamo e Zagrebit në vitin 2008.

Modriç kaloi te Real Madridi në vitin 2012, ndërsa një vit më vonë, në të njëjtën rrugë u nis edhe Bale.

Në Madrid, ata ishin pjesë e njërit prej brezave më të suksesshëm në historinë e klubit.

Së bashku fituan pesë trofe të Ligës së Kampionëve: në vitet 2014, 2016, 2017, 2018 dhe 2022.

Modriç e fitoi Topin e Artë në vitin 2018, ndërsa gjatë 13 viteve te Real Madridi grumbulloi gjithsej 28 trofe, një rekord në historinë e klubit.

## Bale e përfundoi karrierën, Modriç vazhdon të luajë

Bale njoftoi pensionimin nga futbolli në janar të vitit 2023, pasi muajt e fundit të karrierës i kaloi te klubi amerikan Los Angeles FC.

Modriç, nga ana tjetër, vazhdoi të luajë në nivelin më të lartë të futbollit.

Në verën e vitit 2025, pas 13 vjetësh, ai u largua nga Real Madridi, me të cilin kishte fituar gjashtë trofe të Ligës së Kampionëve, dhe nënshkroi kontratë me klubin italian Milan, ku vazhdon të luajë edhe sot.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat