E ardhmja e Vinicius Junior te Real Madridi nuk është më e sigurt.
Ish-drejtori sportiv i klubit, Predrag Mijatoviq, ka deklaruar se Reali ka marrë dy oferta serioze për sulmuesin brazilian dhe se shitja e tij është e mundur nëse paraqitjet e tij gjatë këtij sezoni nuk përmirësohen.
Edhe pse Vinicius gjatë verës nënshkroi kontratë të re, e cila e lidh me Real Madridin deri në vitin 2032, vendi i tij në ekip nuk është më i garantuar.
Për shkak të formës së luhatshme, konkurrencës së madhe në sulm dhe pikëpyetjeve nëse ai përshtatet me planet e klubit, largimi i tij po përmendet gjithnjë e më shpesh.
Mijatoviq konfirmoi se gjatë afatit kalimtar të verës së kaluar, klubi kishte refuzuar dy oferta të rëndësishme për brazilianin 26-vjeçar, por nuk e përjashtoi mundësinë e shitjes së tij në të ardhmen.
Duke folur në emisionin "El Larguero", në radion Cadena SER, Mijatoviq shpjegoi se vendimi për të ardhmen e Viniciusit do të varet ekskluzivisht nga rezultatet e këtij sezoni.
"Nëse sezoni përfundon mirë, Real Madridi e fiton La Ligën dhe Vinicius është lojtar kyç, në formë të mirë dhe vendimtar për suksesin, mendoj se nuk do ta shesin në asnjë mënyrë", tha Mijatoviq.
Çfarë mund të ndodhë?
Megjithatë, nëse klubi nuk i arrin objektivat, situata mund të jetë ndryshe.
"Nëse ndodh e kundërta, besoj se klubi do ta shqyrtojë çdo ofertë që vjen. Nëse Reali nuk arrin atë që dëshiron dhe paraqitet një ofertë e mirë, ai do të jetë në shitje", shtoi ai.
Mijatoviq zbuloi se njëra nga dy ofertat që Reali kishte refuzuar verën e kaluar kishte ardhur nga Arsenali.
Megjithatë, ai nuk mendon se klubi ka gabuar duke e mbajtur Viniciusin.
"Nuk dua të them se kanë gabuar. Ai është 26 vjeç dhe ende ka shumë hapësirë për përmirësim", komentoi ai.
Mijatoviq vuri re gjithashtu dallimin në disponimin dhe lojën e Viniciusit kur luan për klubin dhe kur përfaqëson kombëtaren braziliane.
Me fanellën e Brazilit, ai po luan sërish në nivel të lartë, gjë që dëshmohet edhe nga pesë golat në dy paraqitjet e fundit, përfshirë një tregolësh kundër Singaporit.
"Vinicius luan mirë kur është i lumtur dhe mua më duket se aktualisht është më i lumtur kur luan për kombëtaren sesa këtu", vlerësoi Mijatoviq.
Konkurrenca dhe kritikat për mungesë përkushtimi
Sipas Mijatoviqit, te Viniciusi kanë ndikuar pasiguria rreth kontratës gjatë verës së kaluar dhe konkurrenca e fortë, veçanërisht ngritja e sulmuesit Diomande.
"Unë nuk kam pasur kurrë konkurrencë kaq të fortë sa ajo që ai ka tani me Diomanden. Situata sot është krejtësisht ndryshe", tha ai.
Vinicius së fundmi pranoi edhe vetë se gjatë verës nuk ishte përgatitur siç duhet, gjë që Mijatoviq e konsideron një pranim pozitiv dhe një shenjë të vetëkritikës.
Megjithatë, ai e paralajmëroi për pasojat e relaksimit të tepërt.
"Konkurrenca është gjithmonë e pranishme dhe nuk duhet të relaksohesh. Nëse e ul paksa ritmin, dikush nga bashkëlojtarët do ta shfrytëzojë këtë mundësi", porositi ai.
Në fund, Mijatoviq i dërgoi një paralajmërim të drejtpërdrejtë.
"Mendoj se është relaksuar paksa më shumë seç duhet, sepse udhëhiqet nga ideja se duhet ta shijojë jetën derisa është i ri. Duhet t'i them se pas përfundimit të karrierës futbollistike do ta ketë gjithë jetën për ta shijuar me familjen dhe miqtë. Atëherë nuk do të fitojë më kaq shumë para", përfundoi Mijatoviq.