Skuadra nga Valisi po zhvillon një sezon shumë të mirë në Superligën zvicerane. Megjithatë, në ndeshjen e së shtunës, e cila do të transmetohet drejtpërdrejt nga SRF, Sion përballet me një kundërshtar që i ka shkaktuar shumë probleme në vitet e fundit.
Ka përfunduar më shumë se një e treta e kampionatit dhe tashmë mund të thuhet se Sioni është një nga surprizat më të këndshme të këtij edicioni të Superligës zvicerane.
Jo vetëm rezultatet e mira, por edhe mënyra se si skuadra e trajnerit Didier Tholot i ka fituar 26 pikët e saj, kanë lënë përshtypje pozitive.
Pas 13 xhirove, Sioni renditet në vendin e tretë, me një diferencë prej 11 pikësh nga zona e rënies.
Bilanci negativ në përballjet direkte
Sioni dëshiron ta përforcojë edhe më shumë pozitën e tij në pjesën e sipërme të tabelës gjatë kësaj fundjave.
Në letër, mundësia duket e mirë, pasi në stadiumin Tourbillon udhëton Servette, skuadra që renditet në vendin e gjashtë.
Megjithatë, ekipi nga Gjeneva është shndërruar në një kundërshtar shumë të vështirë për skuadrën nga Valisi.
Sioni nuk ka arritur të fitojë kundër Servette-s prej më shumë se pesë vitesh.
Në 13 përballjet e fundit direkte në Superligën zvicerane, bilanci i Sionit është: 8 barazime, 5 humbje, asnjë fitore.
Fitorja e fundit e Sionit kundër Servette-s daton më 24 tetor 2021.
Një detaj interesant është se në atë kohë, talenti i madh i Sionit, Winsley Boteli, ishte ende pjesë e akademisë së Servette-s.
Përballja Sion – Servette do të transmetohet të shtunën nga ora 20:10 në SRF zwei, ndërsa fillimi i ndeshjes është paraparë në orën 20:30.