Ingvar Jonsson ka ndërruar jetë në moshën 37-vjeçare. Portieri i kampionëve në fuqi të Islandës, Víkingur, ishte ish-përfaqësues i Islandës dhe pjesë e skuadrës që shkroi historinë në Euro 2016. Ai ndërroi jetë të mërkurën, më 25 nëntor, pas një beteje me kancerin.
Víkingur ka konfirmuar lajmin e trishtë: “Me pikëllim dhe dhimbje të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të mikut dhe bashkëlojtarit tonë të dashur, Ingvar Jonsson, portierit të Víkingur, të mërkurën, më 25 nëntor, i rrethuar nga njerëzit e tij më të dashur.
Mendimet e të gjithëve në klub dhe të gjithë tifozëve të Víkingur janë me familjen dhe të afërmit e tij. U shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta”.
Paraqitjen e tij të fundit, Jonsson e zhvilloi më 3 maj kundër Keflavikut. Gjatë karrierës së tij, ai fitoi pesë tituj kampioni të Islandës, një me Stjarnan dhe katër me Víkingur, si dhe tri Kupa të Islandës.
Ai gjithashtu luajti në Norvegji për Start, Sandnes dhe Sandefjord, si dhe në Danimarkë për Viborgun.
Jonsson regjistroi tetë paraqitje me kombëtaren e Islandës dhe ishte pjesë e skuadrës që zhvilloi një fushatë të paharrueshme në Francë në vitin 2016, kur Islanda befasoi Evropën duke arritur deri në çerekfinale në pjesëmarrjen e saj të parë në fazën finale të Kampionatit Evropian.