Pas lajmit për lëndimin e Alessandro Bastonit, trajneri i Interit, Cristian Chivu, ka marrë një lajm të mirë nga stërvitja e sotme në Appiano Gentile: Piotr Zielinski është rikuperuar dhe është i gatshëm për ndeshjen ndaj Genoas.
Mesfushori polak ishte lënduar në ndeshjen e parë të përfaqësueses së tij gjatë pushimit ndërkombëtar, por kishte luajtur në takimin e dytë. Pas rikthimit në Milano, problemi me shputën e këmbës iu shfaq përsëri, duke bërë që të mungonte në ndeshjet kundër Atalantas dhe Stuttgartit.
Ish-futbollisti i Napolit sot është stërvitur së bashku me pjesën tjetër të skuadrës dhe është plotësisht i gatshëm për përballjen e Interit me Genoan në “San Siro”, të shtunën mbrëma, më 28 nëntor.
Kjo do të jetë përballja e parë nga dy takimet e njëpasnjëshme mes këtyre skuadrave, pasi të mërkurën mbrëma do të takohen sërish në të njëjtin stadium, kësaj radhe në kuadër të 1/8 së finales së Kupës së Italisë.
Zielinski në garë për një vend në formacion
Zielinski është kandidat për të luajtur në mesfushën qendrore, në rolin para mbrojtjes. Në dy ndeshjet e fundit, këtë pozitë e ka mbuluar Petar Sucic, në mungesë të Hakan Calhanoglut, i cili gjithashtu është i lënduar.
Një tjetër alternativë për Cristian Chivun është Aleksandar Stankoviq, por pritet që Zielinski të marrë të paktën disa minuta në këtë përballje.
Interi me disa mungesa të rëndësishme
Në repartin e mbrojtjes vazhdon të mungojë Alessandro Bastoni, ndërsa në sulm nuk do të jetë i gatshëm as Bonny. Edhe Hakan Calhanoglu mbetet jashtë fushave për shkak të lëndimit.
Për këtë arsye, Chivu pritet ta përdorë sërish Carlos Auguston në rolin e qendërmbrojtësit të majtë, ndërsa Dimarco do të aktivizohet në krahun e mesfushës.
Spence pritet t'i japë një tjetër mundësi Diouf në krahun e djathtë, ndërsa Lautaro Martinez parashikohet të jetë titullar në vend të Thuramit.
Ky i fundit pritet të pushojë të paktën gjatë 60-65 minutave të para të takimit, në mënyrë që të ruajë freskinë fizike për ndeshjet e ardhshme.